
Kandidati i LDK-së për Prishtinë, Përparim Rama nuk është i regjistruar si arkitekt në regjistrin e arkitektëve të Mbretërisë së Bashkuar.
“Architects Registration Boards”, apo në shqip “Regjistri i Arkitektëve” është regjistër definitiv i të gjithë arkitektëve në Mbretërinë e Bashkuar. Në faqen zyrtare të këtij institucioni qartazi thuhet: “Nëse dikush nuk është në këtë Regjistër, ata nuk janë arkitekt – është kaq e thjeshtë”.
Titulli “arkitekt” mbrohet me ligj në Mbretërinë e Bashkuar. Ky titull mund të përdoret vetëm nga njerëz që kanë arsimin, trajnimin dhe përvojën e duhur për ta merituar, kjo sipas Seksionit 20 të Aktit të Arkitektëve të vitit 1997. Kështu ata që plotësojnë këto kushte njihen me titullin “arkitekt” dhe futen në Regjistrin e Arkitektëve.
Përparim Rama që është pronar i zyrës arkitekturale “4M Group” me seli në Londër, pas hulumtimit të bërë nga Observeri nuk figuron askund në këtë regjistër të arkitektëve. Gjë që bënë të vihet në dyshim titulli i tij si arkitekt.
Kërkimi i Observerit në Regjistrin e Arkitektëve të Mbretërisë së Bashkuar.
Me titullin arkitekt, Përparim Ramës iu referua kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kur zyrtarizoi kandidimin e Ramës për kryetar të kryeqytetit nga radhët e LDK-së. Mirëpo, Rama nuk duket që mbanë këtë titull.
Më tej, Abdixhiku në rrjetin social Facebook pati vlerësuar Ramën me fjalët:
Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim.
Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së
Ndërsa, Përparim Rama në profilin e tij në rrjetin Linked In ka pozitë të projektuesit arkitektural, por jo të arkitektit.
Për më tepër dallimi i një arkitekti nga projektuesi është sepse arkitekt do të thotë një profesionist i licencuar i cili ka kaluar provimin e regjistrimit – një provim shumë rigoroz me shtatë pjesë që administrohet nga NCARB në Mbretëri të Bashkuar (Këshilli Kombëtar i Bordeve të Regjistrimit Arkitektonik). Ndërsa një projektues nuk është një arkitekt i licencuar dhe nuk e ka kaluar këtë provim të regjistrimit, raporton Observeri.
Si arkitektë të kompanisë “4M Group” figuron Georgios Kalogirou dhe Robert Ferrier. Dy shtetas të huaj që mbajnë titullin arkitekt në zyrën e Ramës.
Platforma mediatike Observeri, ka tentuar që ta kontaktoj kandidatin për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, mirëpo, ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. Z. Përparim Rama nuk e ka hapur telefonin dhe nuk i është përgjigjur pyetjeve të Observerit as në formë të intervistës së shkruar.
Observeri e ka pyetur Ramën se a e mbanë titullin e arkitektit pasi që emri i tij nuk gjindet në “Regjistrin e Arkitektëve”?. Poashtu, ai është pyetur edhe lidhur me dy arkitektët Georgios Kaligirou dhe Robert Ferrier emrat e të cilëve janë në regjistrin e Arkitektëve të Mbretërisë së Bashkuar e të cilët punojnë për 4MGroup, ku aludohet se si shkak i tyre Përparim Rama kishte mundësinë që të hapë kompaninë e tij në Britani. Gjithashtu, kandidati i LDK-së për kryeqytetin është pyetur edhe për problemet e Prishtinës dhe për çështjen e ndërtimit të lagjes “Lakeside Gardens” në afërsi të Liqenit të Badocit, por për asnjërën nga pyetjet nuk është marrë përgjigje.
Kujtojmë se në garën për kryeqytetin tashmë janë zyrtarizuar kandidaturat për kryetar të Komunës së Prishtinës. Lëvizja Vetëvendosje ka caktuar si kandidat Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, LDK e ka futur në garë “arkitektin” Përparim Rama, ndërkaq, PDK-së në këtë garë elektorale do t’i prijë Uran Ismajli. Nga radhët e AAK-së është zgjedhur Daut Haradinaj, kurse nga AKR-ja, Selim Pacolli./Observeri/








