Osmani kritikohet për vizitën në Mitrovicë: “Ajo po pozicionohet për kthim në politikë, por si Presidente duhet të jetë e paanshme”

Sot, e para e vendit, Vjosa Osmani ishte për vizitë “përhajruese” tek kryetari i ri i Mitrovicës, ish-bashkëpartiaku i saj, Faton Peci, shkruan Mitropol.
E kjo vizitë e Osmanit u kritikuar nga analisti mitrovicas, Shenoll Muharremi.
Ai tha se kjo tregon që ajo po pozicionohet për kthim në politikë dhe po e cenon paanshmërinë e pozitës së Presidentit.
Postimi:
Sot na paska turpnu Presidentja
Vjosa Osmani shkoi sot në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë me urue një kryetar, po nuk ka shku me urue askënd tjetër. Kjo, jo vetëm që është diçka e pazakont, por edhe është turp i madh për shkak të asaj që çka krejt ekspozon kjo aferë.
Pse? Për shkak se ajo po tregon që nuk paska qenë asnjëherë e paanshme si e kërkon kushtetuta. Po tregon që edhe ajo ka hise në fitoren e Mitrovicës. Pse nuk shkoi me urue në Prizren apo Prishtinë? Ferizaj?
E ndoshta, ajo edhe e paska bë ndarjen e LDK-së në Vushtrri dhe gjithë ato situata ku pa lejen e kryesisë u bë marrëveshja me LVV.
Kuptohet që ajo po pozicionohet për kthim në politikë, por derisa ende është në pozitën e presidentit, ajo duhet me qenë e paanshme dhe me u ruajt pak, jo për vete medoemos, por për pozitën që përfaqëson.
E kur ja shton faktin që gjithashtu e ka shty bllokadën dhe krizën duke i thënë një mandat të dytë LVV-së pa pasur fakte, e që pastaj dështoj… të gjitha këto janë fakte dhe argumente që ajo nuk paska qenë asnjëherë e pavarur si e kërkon roli i saj.








