Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes platformës X ka njoftuar se ka takuar komandantin e KFOR-it Özman Ulutaş me të cilin ka diskutuar për sigurinë në vend dhe për bashkëpunimin e mëtejmë në këtë fushë.
“Takimi i mirë me NATO_KFOR me komandantin gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Diskutuam zhvillimet e fundit të sigurisë dhe përkushtimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin tonë të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë në trajtimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe në rajon”, ka shkruar presidentja Osmani në platformën X.
Lidhur me këtë reagoi edhe Misioni i NATO-s në platformën “X”, ku Ulutaš ripërsëriti përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në mbështetje të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.
“Ulutaš theksoi nevojën thelbësore për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të KFOR-it, institucioneve në Kosovë dhe organizatave të sigurisë së Kosovës për të garantuar siguri të përhershme në mbarë Kosovën, në të mirë të të gjitha komuniteteve. Ai përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të OKB-së. Ai po ashtu theksoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë në mbështetje të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së”, thuhet në njoftim.