Active 2
02

Pakize Kosova, gruaja që sfidoi okupimin dhe ndërtoi gjenerata të tëra sportistesh

Në kuadër të ciklit “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, profesoresha dhe sportistja mitrovicase Pakize Kosova solli një rrëfim prekës për jetën e saj të mbushur me sfida, sakrifica dhe sukses.

Nga fillimi i studimeve në stomatologji e deri te përkushtimi në edukatën fizike, ajo dëshmoi vendosmërinë për të ecur përpara, pavarësisht padrejtësive.

Active

“Një provim nuk ma kalonin, u deshën tri vjet për një ankesë dhe, në fund, u detyrova ta ndërroja drejtimin. Iu përkushtova sportit me shpirt,” tha ajo.

Kosova ishte pjesëmarrëse aktive në demonstratat e viteve ’80 dhe përjetoi nga afër represionin serb. Si pasojë e rezistencës ndaj atij represioni, profesoresha, bashkë me bashkëshortin dhe katër fëmijët, u detyrua të migronte në Luksemburg.

“Kena pasë synim me shku në Perëndim, por gati dy muaj s’kemi mujtë kurrsesi. U nisshim, na nxisshin, na kthejshin prapë. U nisshim prej ni kufini, apet na kthejshin. Në Luksemburg ka qenë parajsa jonë kur kena mrri, na kanë trajtu shumë mirë. Kena nejt gati 16 muaj,” rrëfeu ajo.

Në Luksemburg, profesoresha Pakize Kosova jo vetëm që mbijetoi, por u angazhua në sport dhe bamirësi, duke luajtur në një klub lokal dhe duke punuar për të mos qenë barrë për askënd.

“Nuk doja ndihma sociale, doja të kontribuoj,” tha Kosova.

Pas luftës, ajo u kthye në Kosovë për të rindërtuar jetën. Në vitin 2008, themeloi klubin e vajzave në volejboll, “Trepça”, i cili që nga fillimi punoi pa pagesë dhe me dyer të hapura për të gjitha komunitetet.

“Prej vitit 2009, gjithmonë mbi 100 vajza janë bërë pjesë e klubit,” tha me krenari ajo.

Historia e saj është një testament i fuqisë së grave mitrovicase dhe një shembull se si, pas çdo sfide, mund të lulëzojë një brez i ri shprese dhe suksesi.

Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

VIDEO

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Koha