Pamje nga palestra “1 Tetori”, qytetarët presin në radhë për dozën e tretë të vaksinës

Mesditën e së shtunës numër i madh i qytetarëve kanë pritur në radhë në sallën “1 Tetori” në kryeqytet për t’u vaksinuar.
Shumica nga ta pas mesazheve të marra nga Ministria e Shëndetësisë, kishin vendosur që të marrin edhe dozën e tretë.
Selim Syla, tha se për shkak të sigurisë më të madhe dhe pasojave në të ardhmen ka vendosur që të vaksinohet edhe për herën e tretë.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që ende nuk e kanë marrë vaksinën të vaksinohen, duke shtuar se ky rekomandim vjen edhe nga ekspertët shëndetësor nga mbarë bota.
“Siguria është më e madhe, mos me pas pasoja më tutje. Mesazh për të gjithë njerizimin, kush mendon pak shëndetin e vet le ta merr edhe dozën e tretë”.
“Le ta marrin, secili e ka përgjegjësinë për vetveten. Normal që është më e mira se e kanë paraparë ekspertët shëndetësor, të gjithë duhet me ardhur me marrë”.
Edhe Sylejman Avdullahu, tha se vaksinën duhet ta marrë secili, ngase kjo është mundësia e vetme për ta mposhtur virusin.
“Mendoj se siguria është më e mirë, vlen me marrë. Vaksina duhet me marrë secili është për sigurinë për të mirën tonë. Më e mira është kjo mundësi, tjetër nuk ka. Unë besoj që është më e mira”.
Arlind Grantolli, tha se pasi ka pranuar mesazhin nga MSh-ja ka ardhur që të vaksinohet me dozën e tretë, pa asnjë dyshim.
Ndonëse marrjen ose jo të vaksinës e konsideron vendim personal, ai thotë se rekomandimet që vijnë nga ekspertët dëshmojnë se s’ka mundësi tjetër për ta evituar virusin.
“Na ka ardhur mesazhi, njoftimi edhe i kemi marrë dy të parat pse mos me marrë edhe të tretën. Po besoj pasi që ekspertët në krejt botën po thonë që po, s’ka pse me menduar ndryshe, kur krejt njerëzit po e marrin, i njëjti sistem po aplikohet në shumicën e shteteve të botës, nuk po shoh që mundet diçka me qenë ndryshe te ne”.
“Kjo është çështje personale, po pasi ekspertët e mjekësisë e sugjerojnë dhe në krejt botën po thonë që një prej mundësive më të mira për t’u mbrojtur edhe për ta evituar virusin është vaksina, atëherë s’po shoh rrugëdalje tjetër”.
Kujtojmë se brenda 24 orëve u shënua 1 rast i vdekjes në Kosovë. /Mitropol/








