Paneli planifikon dorëzimin e urdhrit për dëmshpërblim të viktimave në çështjen ndaj Salih Mustafës

Paneli planifikon dorëzimin e urdhrit për dëmshpërblim të viktimave në çështjen ndaj Salih Mustafës
Në bazë të ligjit dhe rregulloreve, Paneli ka analizuar rrethanat e rastit dhe ka vendosur se urdhri për dëmshpërblim do të shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të të akuzuarit.
“Paneli: a. Planifikon dorëzimin e urdhrit të riparimit në rastin konkret të enjten, më 6 prill 2023, në ora 12:00, në seancë publike; dhe b. Urdhëron z. Salih Mustafa që të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit”- thuhet në parashtresë.
Gjykata Speciale ka konfirmuar se viktimat kanë të drejtën e njoftimit, pranimit dhe zhdëmtimit.
“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, viktimat para DHSK-së, që do të thotë individët që kanë pësuar dëm si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të renditur në një aktakuzë, kanë të drejtën e njoftimit, pranimit dhe zhdëmtimit. Bazuar në Rregullën 168 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Trupi Gjykues mund ta urdhërojë kryesin e veprës penale që është shpallur fajtor t’u paguajë zhdëmtim viktimave individuale apo një grupi viktimash”-ka thënë Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik.
Në përputhje me Rregullën 164(2) të Rregullores, Rregulli 159(2) i Rregullores do të zbatohet në mënyrë të barabartë për shpalljen e dënimit.
“Urdhri për dëmshpërblim është paraparë në nenin 44 të Ligjit, i cili titull është “dënimet”, të shqiptuara përveç dënimit me burgim, Paneli konsideron se dispozitat e lartpërmendura në Ligj dhe Rregullore do të zbatohen në mënyrë të barabartë edhe për shpalljen e urdhrit për dëmshpërblim në përputhje me nenin 22(8) dhe 44(6) të Ligjit”- thuhet në parashtresë.
Paneli Provues i Dhomave të Specializuara urdhëron Salih Mustafën që të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit në kohën dhe vendin e përcaktuar për shpalljen e urdhrit për dëmshpërblim në rastin konkret.
Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.
Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.
Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur./Kallxo.com/








