Premium Store
KOSOVËLAJME

Paralajmërimi i diplomatit amerikan, krejt çka tha O’Brien për Veriun e Kosovës dhe rrezikun e sigurisë në rajon

Veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës po konsiderohen si rreziqet kryesore për sigurinë në rajon. Kështu ka vlerësuar ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i cili megjithatë theksoi se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë dhe misioni i EUFOR-it në Bosnjë janë të gatshme “të pengojnë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë”, transmeton Gazeta Sinjali.

O’Brien i tha të hënën agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug” se ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet e Kosovës dhe ato serbe, në përpjekje për të trajtuar rreziqet e dhunës dhe të rritjes së përplasjeve në veri të Kosovës.

Active 1

Kjo, ka theksuar ai se jep një shans për procesin politik, që është dialogu (i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian), plani (evropian) i rritjes ekonomike dhe gjërat e tjera për të trajtuar shkaqet e dhunës.

I pyetur pse SHBA-ja mbështeti një tranzicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe pse Prishtinës iu lejua të blejë dronë, kur “sipas Rezolutës 1244, KFOR ishte e vetmja forcë e armatosur e lejuar në Kosovë”, O’Brien tha se rezoluta vendosi “një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës”.

 

O’Brien tha se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj, duke nënvizuar se ajo “po e bën këtë në një proces transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj, por pa kërcënuar fqinjët e saj. Mendoj se në përgjithësi është një lëvizje drejt qëndrueshmërisë në rajon dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim”.

Diplomati amerikan ritheksoi mbështetjen ndaj bisedimeve Kosovë – Serbi dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të hënën O’Brien diskutoi në Uashington për këto çështje edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Active 1