02LAJME

Parku i “paqes”, Shakira, marrëveshja: Historia ‘banale’ e rihapjes së Urës së Ibrit

Ura e Ibrit është rikthyer në vëmendje të opinionit publik sërish. Dhe sërish, çështja duket e përlyer me banalitet. Cilat ishin banalitetet tjera që ndërtuan historinë e saj?

Ura e Ibrit mund të jetë ura më e famshme në Kosovë. Madje, edhe më e famshme se ajo në Saradran të Istogut – një nga projektet e përuruara nga Albin Kurti dhe që po përmendet si simbol i mospunës së tij në investime kapitale.

London

Kjo urë është e famshme për shkak se funksionin e zakontë të një ure, lidhjen e qytetarëve, e ka të përmbysur: çlidh qytetarët. Ajo është shenja ndarëse e qytetarëve serbë dhe shqiptarë të Mitrovicës.

Pas zgjedhjeve të fundit të 23 prillit, një asambliste me emrin Aida Doli propozoi që ura të hapej për qarkullim edhe për automjete. Propozimi kaloi. E megjithatë, çështja del se është më komplekse se sa që është menduar.

KFOR-i në një përgjigje për gazetën Nacionale kishte deklaruar se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.”

Në anën tjetër, një deklaratë e kishte dhënë edhe ndërmjetësi i BE-së për dialogun, Mirosllav Llajçak:

“Ne ende duhet të përballemi me këtë në baza ditore, derisa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë për të hapur urën dhe atmosfera dukshëm nuk është e duhur për këtë.”

Marrëveshja e e Brukselit

Edhe në Bruksel kishte pasur marrëveshje sa i përket Urës së Ibrit.

Më 19 tetor 2015, pas shumë e shumë orvatjesh në Bruksel, Zyra e Kryeministrit njoftonte si vijon:

“Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë që është kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje ka nisur punimet e revitalizimit të urës e cila do të zgjas deri në qershor të vitit tjetër kur ura e Mitrovicës do të hapet për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësorë dhe automjete.”

Qershori i vitit 2016 kishte ardhur, por ura nuk ishte hapur edhe për automjete. Por, megjithatë një lëvizje ishte bërë.

Për ironi, pjesa e urës që i dedikohet lëvizjes së automjeteve ishte barrikaduar me lule dhe pjesë dheu të cilit i kishin vënë emrin “Parku i Paqes”. Ky farë parku pengonte edhe fizikisht mundësinë që të kishte çfarëdo lëvizje automjetesh.

Fatmirësisht, parku në fjalë ishte hequr dhe gjatë këtij procesi vëmendjen e kishte marrë Agim Bahtiri (kryetar i Mitrovicës për dy mandate).

Shakira?

Bahtiri kishte thënë që këngëtarja e famshme botërore Shakira do të/mund të vinte dhe të performonte në ceremoninë hapëse të urës mbi Ibër, dhe se ura në fjalë do ta mbante emrin e saj.

Por, në gjithë këtë mesele del të jetë i përfshirë edhe Behgjet Pacolli.

Pas një takimi me Bahtirin, Pacolli thoshte se “ishte propozuar që në ceremoni të jetë e ftuar një këngëtare amerikane për të performuar.”

“Por, këngëtarja e cila pritet të performojë atë ditë në të cilën do të bëhet hapja zyrtare e Urës së Ibrit, është Shakira, emër i njohur ky në botën e shoubizit dhe më gjerë.” – shkruhej në raportim.

Shakira në fakt është këngëtare kolumbiane dhe jo amerikane.

Ndërkohë, vite më vonë Agim Bahtiri do të njoftonte që kërkesa për ardhjen e Shakirës kishte qenë “kërkesë e KFOR-it”.

Ura

Ura e Ibrit ishte rinovuar nga qeveria e Francës në vitin 2001 për të marrë pamjen që e ka sot.

Ishte kompania Freyssinet ajo që kishte punuar për një gjë të tillë, dhe ekipi i punëtorëve që kishin marrë ishin shqiptarë dhe serbë ashtu siç edhe parashihej nga kontrata.

Prej vitit 2012, pjesa jugore dhe ajo veriore e urës patrollohet nga ana e Karabinierëve italianë.

Koha