Pas dhjetëra muajsh neglizhim, sot u pastrua parku i qytetit në Mitrovicë, kockat mbesin ende të shkatërruara

Si në shumë qytete të mbushura me ndërtesa, edhe në qytetin e Mitrovicës pjesa që jep më shumë hijeshi e ngjyra, është parku i qytetit, shkruan ‘Mitropol’.
Ndonëse dimri ishte i butë dhe me shumë pak borë, parku i qytetit në vazhdimësi nuk po merrte trajtesën që duhej dhe nuk po mirëmbahej aspak.
E sot, pritjes së gjatë të qytetarëve të Mitrovicës po i vie fundit, pasi parku po pastrohet e po i pritet bari.
Rregullimi këtyre hapësirave gjelbëruese u bë nga kompania e pastrimit ‘Ambienti’, kompani e kontraktuar nga Komuna e Mitrovicës.
Ndonëse parku u pastrua, rruga e shtruar me kocka mbetet e shkatërruar nga punimet e “Art Mall”, pronari i së cilës kishte shtruar asfalt në kocat e parkut dhe në pjesën e gjelbëruar, duke e shëmtuar dhe shkatërruar parkun.
Vitin e kaluar Komuna si për t’i hedhur hi syve të qytetarëve kishte thënë se asfalti është larguar, por megjithatë ai ndodhet ende aty, nën shtresën e shtruar me dhe, shtresë kjo që po vërehet dukshëm më ndryshe dhe më keq./Mitropol







