Dukato 2
02KOSOVËLAJME

PDK shpreh zhgënjim ndaj vendimit të PZAP-it, paralajmëron ankesë në Gjykatën Supreme

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot ka refuzuar ankesën e kësaj partie lidhur me parregullsitë e pretenduara në procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.

Në reagimin e saj, PDK ka shprehur “zhgënjim të thellë” me vendimin, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti i situatës në terren.

Active

Sipas PDK-së, partia ka dorëzuar “fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara” që, siç pretendohet, dëshmojnë cenimin e procesit zgjedhor dhe mosrespektimin e vullnetit të qytetarëve.

“Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë. Procesi zgjedhor është cenuar dhe vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Partia ka paralajmëruar se do të vazhdojë me hapa të tjerë ligjorë, duke njoftuar se ankesa e radhës do të dërgohet në Gjykatën Supreme, instancën e fundit vendimmarrëse në proceset zgjedhore.

“PDK nuk do të ndalet. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Republika e Kosovës. Hapi ynë i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme”, thuhet tutje në komunikatë.

PDK ka theksuar se mbetet e përkushtuar në “mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve”, duke shtuar se kërkon vetëm “respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës”.

“Drejtësia do të vijë. Ne do të vazhdojmë deri në fund”, përfundon reagimi.

Active 1