Peja mposhtë Trepçën, shpallet kampione, Artis për ‘Mitropol’: Referët ia dhanë lojën Pejës

Mbrëmjen e djeshme u zhvillua finalja e pestë e ndeshjeve të playoff-it, mes KB Trepçës dhe KB Pejës, ndeshje kjo që do të përcaktonte titullin kampion.
Ndeshja u zhvillua në palestrën ‘Minatori’ në Mitrovicë mes qindra pjesëmarrësve të pranishëm, mes tyre edhe figura të shumta publike.
Ndeshja filloi disa minuta me vonesë nga koha që ishte e përcaktuar për të nisur, për shkak të prishjes së semaforit të njërit kosh.
Me fillim të lojës basketbollistike, nga tifozëria e pranishme në palestër po mbretëronte një atmosferë elektrizuese.
Përveç në palestër, për shkak të interesimit të madh për të ndjekur ndeshjen, dhjetëra mitrovicas po ndjeknin ndeshjen nga ekrani i madh i vendosur në sheshin ‘Isa Boletini’.
Mes dy skuadrave të forta po zhvillohej një ndeshje mjaftë sfiduese ku deri në momentet e fundit ekipet ishin me pikë të barabarta, por Brad Waldow arriti të shënojë në sekondin e parafundit, duke bërë që Shqiponjat të shpallen kampione.
Momentin e përfundimit të ndeshjes, pas fitores së Pejës tifozët mitrovicas filluan hedhjen e mjeteve piroteknike në mes të sallës, gjë që bëri që disa prej tyre të largoheshin me dhunë jashtë nga forcat e rendit.
Pas përfundimit të ndeshjes lojtari i KB Trepçës, Jamel Artis tha për ‘Mitropol’ se humbja erdhi për shkak se lojtarët e Trepçës dhanë shumë kapje topash në sulm lojtarëve kundërshtarë.
“Shumë kapje në sulm, shumë humbje topi, fauluam shumë në fund”, tha Artis.
Ai nuk përjashtoi as mundësinë se referët u dhanë lojën pejanëve.
“Unë mendoj se referët u dhanë lojën atyre”, shtoi Artis.
Trajneri i futbollit, Emin Baliqi tha se Peja u nënçmua nga ana jonë, duke menduar se Trepça sigurt do të shpallet kampion.
“Pejës veç duhet me ia uru, sepse ke ekipë ma kompakte edhe në momentet vendimtare diti çka deshti dhe e mori titullin”, shtoi Baliqi.
Aktori Adem Zhitopotoku tha se dy ekipet dhanë maksimumin e tyre dhe se luajtën me ndjenjat e tifozëve.
“Kom prit prej tifozëve të Torcidës që në fund kanë me ia uru Pejës dhe kjo nuk ndodhi”, tha Zhitopotoku.
E sipas tifozit mitrovicas, Dervish Kopriva arsyeja e humbjes së mbrëmshme është sepse ka dështuar komplet menaxhmenti.
“Prej fillimit pritshmëritë kanë qenë të mëdha, është fol për një buxhet shumë të madh”, tha Kopriva.
Ai gjithashtu shtoi se shkarkimi i trajnerit, Gencoglu, trajner ky i cili e kishte rritur vetbesimin e lojtarëve, ishte një ndër arsyet themelore të dështimit të Trepçës sonte.
Pikëshënuesit më të mirë të ndeshjes së mbrëmshme, ishin Drilon Hajrizi tek Xehetarët, dhe Devoe Josephi tek Shqiponjat, me nga 21 sosh secili.
Përndryshe, klubi Pejan mbrëmë u shpall kampion për të shtatën herë./Mitropol








