Përfundon në paraburgim vushtrriasi që gjuajti me armë pronarin e lokalit që iu lëshua me qira
Për rastin e të shtënave me armë në Stanovc të Vushtrrisë, është mbajtur seanca dëgjimore ndaj personit të dyshuar, ku Prokuroria Themelore në Mitrovicë ushtroi kërkesë për caktimin e masës së sigurisë. I dyshuari doli par Gjykatës nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, raporton Sinjali.
Incidenti ndodhi pasditen e 10 dhjetorit, pasi Shaip Maloku u denoncua nga pronari i lokalit ku zhvillonte biznesin e tij.
Maloku dyshohet se pas një mosmarrëveshje lidhur me dëmtimin e lokalit, kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës, por nuk e kishte qëlluar.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari u arrestua dhe u ndalua për 48 orë, ku brenda afatit ligjor u kërkua masa e paraburgimit.
Të enjten është mbajtur seanca, me ç’rast gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim, duke e aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit.
Maloku është dërguar në njërën nga qendrat e paraburgimit, ku do të qëndrojë për 1 muaj.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.