
Përfaqësues komunal së bashku me drejtues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, të shoqëruar nga familjarë të dëshmorëve, sot kanë nderuar heroin e kombit, Artim Jashari, me rastin e 25 vjetorit të rënies së tij tek sheshi “Artim Jashari” (afër Stacionit të Autobusëve), në Mitrovicë.
Nga të pranishmit është vlerësuar lartë vepra dhe sakrifica e Artim Jasharit, si modeli më i mirë, i një djali të ri, i shkolluar, i edukuar si në aspektin profesional dhe atë njerëzor, patriot, në vendin dhe kohën e duhur i doli zot atdheut, duke bërë aktin më heroik.
Në shenjë nderimi dhe kujtimi për veprën heroike të heroit Artim Jashari, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek lapidari i Artim Jasharit dhe tek varri i tij në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.








