Tutje, zyrtari i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës refuzon dhe një pikë tjetër të vendimit.
Megjithëse kishte dyshim të bazuar për prani të akrilamideve në prodhimet e dala në treg, AUV nuk e kishte njoftuar publikun as para marrjes së mostrave, e as pas daljes së analizave pozitive.
Pika tre e vendimit të 15 qershorit obligon kompaninë dhe institucionin për njoftimin e opinionit publik për mos blerjen e çipsit Vipa.
Megjithatë, as kompania e as vetë institucioni nuk kishin dhënë asnjë njoftim për publikun, në mënyrë që produkti të mos blihet të paktën deri në tërheqjen e sasive të dyshuara për prani të lartë të kimikatit kancerogjen.
Fillimisht, Tërshnjaku përgjegjësinë ia hedh zyrtarit për informim, e më pas tërheq fjalinë kur pyetet nëse të njëjtit i kanë dërguar kërkesë për njoftim të publikut.
Tërshnjaku: Po mirë, ne e informojmë gjithmonë opinionin publik për këtë punë.
Gazetarja: E pse nuk i keni informuar në këtë rast?
Tërshnjaku: Jo është e informuar, unë nuk jam zyrtar për informim, unë jam… Të gjitha janë me kohë të informuar…
Gazetarja: I keni përcjellë përmes email-it zyrtar, i keni bërë kërkesë zyrtarit për media që t’i publikojë këto?
Tërshnjaku: Më fal, ne raportojmë për çdo ditë për rastet, e sidomos ato që janë sensitive. Kemi raportuar…
Gazetarja: Përse nuk është publikuar ky rast?
Tërshnjaku: Shiko, nuk mund të publikohet një rast nëse nuk ka rezultat ta analizës konfirmative.
Në këtë rrjedhë të bisedës, Tërshnjaku hedh dritë në një tjetër situatë të errët për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës./BetimipërDrejtësi