Përmbaruesi ia bllokon llogaritë bankare Telekomit të Kosovës
Llogaritë bankare të Ndërmarrje Publike “Telekomi i Kosovës” janë bllokuar nga përmbaruesi privat, të enjten, më 03.10.2024.
Sipas një njoftimi të Telekomit, bllokimi ndërlidhet me rastin “Dardafon 2”.
“Pas refuzimit të Prapësimit të Urdhrit Përmbarimor që lidhet me arbitrazhin në rastin “Dardafon 2” (Z-Mobile) nga ana e Gjykatës Komerciale, dje, më datë 03.10.2024, Përmbaruesi Privat me të pranuar këtë Aktvendim vetëm brenda një ore, i ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës” – thuhet në njoftim.
Vendimet për këtë rast, Telekomi i ka quajtur të padrejta ndërsa, kjo ndërmarrje publike paralajmëroi ankesë.
“Siç është i informuar publiku tashmë, ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate” – thuhet tutje në njoftim.
“Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor” – thuhet në njoftim./Kallxo