
Në shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”, në Skenderaj, sot është bërë promovimi i librit “60 vjet futboll në Komunën e Skenderajt”, i autorit, Bekë Abazi.
I pranishëm në përurimin e këtij libri ishte edhe i pari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili u shpreh i lumtur që nga sot biblioteka e qyteti u pasurua edhe me një libër të ri.
“Profesor Abazi, përmes kësaj monografie, mjeshtërisht ka sjellur në vëmendjen e lexuesit, historikun e futbollit, në Drenicë, konkretisht në komunën tonë, se drenicasit përveç shpirtit luftarak për të mos u nënshtruar kurrë para armikut, kanë edhe shpirt fisnik dhe sportdashës”, tha Jashari.
Ky libër përshkruan në formë kronologjike dokumente, fotografi dhe historikun 60- vjeçar të futbollit në komunën e Skenderajt.
Pjesa e parë e këtij libri përshkruan hyrjen për futbollin në Kosovë në rajonin e Mitrovicës dhe zhvillimin e këtij sporti në Skenderaj .
Në këtë monografi ka të dhëna për shumë persona që kanë qenë pjesë e epokës së futbollit në Drenicë, duke ia kushtuar një pjesë të mirë të librit klubeve të futbollit si “Buduçnosti”, “Skenderaj” dhe “Drenica”, të cilat identifikohen me futbollin në Komunën e Skenderajt.








