Pesë të lënduar nga aksidenti në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, e përfshirë edhe Policia (VIDEO)

Një aksident i rëndë zinxhiror ka shkaktuar kaos të madh në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në afërsi të fshatit Shkabaj, raporton Mitropol.
Në këtë aksident, që ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit të sotëm, janë përfshirë pesë automjete, përfshirë edhe një veturë zyrtare të Policisë së Kosovës. Sipas pamjeve të siguruara nga vendi i ngjarjes, tri nga veturat kanë pësuar dëme të mëdha materiale, ndërsa dyshohet se vetura policore ka qenë shkaktari kryesor i përplasjes më të fuqishme, duke dëmtuar rëndë automjetin që ndodhej para saj. Fuqia e përplasjes ka bërë që të aktivizohen edhe airbag-ët e veturës së policisë.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se si pasojë e këtij aksidenti kanë pësuar lëndime pesë persona. Aktualisht, me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.
“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:30. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira 5 automjete (prej tyre një automjet i policisë). Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal,” ka deklaruar Ahmeti.
Fatmirësisht, lëndimet e të përfshirëve nuk raportohet të jenë kërcënuese për jetën, por aksidenti ka shkaktuar bllokadë të gjatë në komunikacion, duke rënduar ndjeshëm qarkullimin në këtë segment të frekuentuar rrugor./Mitropol/