
Pershkatari mitrovicas Islam Sadiku ka ngritur alarmin për një veprim të papritur të Ibër-Lepencit, i cili sipas tij ka hapur digat e Ibrit pa asnjë paralajmërim dhe pa konsultuar askënd nga komuniteti i peshkatarëve.
Sipas Sadikut, ky veprim arbitrar ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në ekosistemin ujor, përfshirë këtu humbjen e rreth 20 tonëve peshk të kultivuar me mund dhe investime shumëvjeçare.
Ai thekson se ky nuk është vetëm dëm ekonomik, por një goditje e rëndë për gjithë pasurinë natyrore të Ibrit, që me vite është ruajtur e kultivuar nga peshkatarët lokalë.
“Organet kompetente kanë hapur digat dhe kanë lëshuar ujin pa u konsultuar me peshkatarët apo me askënd tjetër, duke vepruar krejtësisht arbitrarisht. Ky veprim ka shkaktuar dëme të mëdha në afro 20 ton peshk, të cilin e kemi kultivuar me shumë mund dhe përkushtim.”, u shpreh Sadiku.
Ai shton se pasojat nuk janë të kufizuara vetëm te peshku i shkatërruar, por edhe te cilësia e ujit, habitatet natyrore dhe stabiliteti i gjithë ekosistemit të liqenit, i cili mund të ketë nevojë për vite të tëra për t’u rikuperuar. Për peshkatarët lokalë, kjo situatë përbën një krizë të paprecedentë.
Sadiku ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për media, institucione dhe organet përgjegjëse, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe një hetim të plotë të mënyrës se si është marrë vendimi për hapjen e digave.
“Ftoj mediat, institucionet përgjegjëse dhe të gjitha organet kompetente që të ndërhyjnë urgjentisht, të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masat e duhura për të mbrojtur pasurinë tonë ujore.”, nënvizon ai.
Mitropol do të vazhdojë ta ndjekë këtë ngjarje nga afër dhe të raportojë për zhvillimet e reja.







