Petar Petkoviq përdorë fotografitë e publikuara nga Mitropol për të propaganduar tek BE për Kosovën
Drejtori i Zyres për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka përdorur disa nga fotografitë e policëve që ndodhen me detyrë në veri të vendit të publikuara nga Mitropol për të propaganduar tek Bashkimi Evropian për shtetin e Kosovës dhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti.
Në fotografitë e publikuara nga Mitropol shihen policët nga njësitet e rendit të cilët ndodhet në veri të vendit për të ofruar siguri dhe mbarëvajtje të qetësisë publike.
Por, Petkoviq ka thene se Kurti ka dërguar ROSU-në në veri.
“Sipas cilës pikë të marrëveshjes mund të qëndrojnë forcat speciale të Kurtit në veri të Kosovës dhe Metohisë? Ata nuk kanë çfarë të bëjnë atje dhe çdo prani e tyre është shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes!”, ka vazhduar Petkoviq në pjesën e dytë të cicërimës ku ka përdorur dy fotografi të Mitropol.
Por, përkundër asaj që ka propaganduar Petkoviq, Policia e Kosovës ka të drejtë legjitime të dërgojë forcat e veta në çdo cep të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe policët me armë me tyta të gjata bazuar në planet operacionale të insititucionit të Policisë së Kosovës.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi e konfirmon këtë për Mitropol, duke thënë se Qeveria e Kosovës në situata të tilla kur ka sulme nga grupe kriminale të maskuara e të armatosura ka të drejtë të dërgojë edhe Njësinë Speciale për ruajtjen e qetësisë, por megjithatë ka pasur konsideratë dhe për të mos e provokuar situatën ka dërguar në veri vetëm njësite të rendit publik të pajisur me armë me tyta të gjata dhe kallashnikovë deri në 7.42 mm.
“Në fotografitë e publikuara në portalin tuaj shihen disa pamje të zyrtarëve policor të cilët janë duke kryer detyra operative rutinore ne një zonë me rrezik të lartë, ngase në ato zona dyshohet se veprojnë grupe kriminale mirë të organizuara të cilat paraqesin rrezik serioz për zyrtarët policor të cilët veprojnë në teren sipas detyrave dhe përgjegjësive operative. Në këto fotografi shihen zyrtarët policor të njesive të rendit, përkatësisht zyrtarë policor të stacionëve policore nga njesitë e patrullimit. Siç shihet në fotografi zyrtarët policor posedojnë paisjet policore për mbrojtje të afërt, kapacitete të përdorimit për distanca të shkurta.”
“Stacionet policore në kuadër të paisjeve policore kanë në dispozicion edhe armë automatike me tyta të gjata por me kalibër të vogël deri në 9mm. Përdorimi i këtyre armëve për policinë e Republikës së Kosovës nuk është i sanksionuar nga asnjë institucion lokal apo ndërkombëtar.”, shprehet Elezi, drejtor për siguri në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare.
Për ta demantuar edhe më tutje atë që ka shkruar Petkoviq, Asllani konfirmon se në këto pamje të zyrtarëve policorë shihet qartë se nuk ka mjete speciale apo njësi speciale të cilat konsiderohen si njësi për intervenime në raste me të veçanta, edhe pse situata e sigurisë në veri, e veçanërisht dalja publike e grupeve kriminale me maska dhe poashtu të paijsur me armë luftarke, detyron prezencën e forcave speciale.
“Në kuadër të stacionëve dhe drejtorive regjionale të policisë së Kosovës, sipas strukturës, operativa e stacionëve apo regjionëve, vlerëson shkallën e sigurise në vendin apo zonën ku do të veprojnë sipas detyrave dhe përgjegjësive, zyra e operacionale e stacionëve apo regjioneve ka te drejtë t’i pajisë zyrtarët e saj edhe me armë të gjata të kalibrit deri 9mm.”, tha Elezi.
Por si nisi gjithçka?
Shpërthimet e filluara në veri të cilat rezultuan me arrestimin e ish-policit serb Dejan Pantiq për sulmet ndaj zyrave të KKZ-së më 6 dhjetor, vazhduan me plagosjen e policit Ekrem Neziri në fshatin Sërbovc mes Zveçanit dhe Leposaviqit, më 8 dhjetor.
Serbët e vazhduan rrebelimin me vendosjen e barrikadave në rrugët e veriut të vendit dhe kanë shkuar edhe më tutje, duke sulmuar edhe njësitet e EULEX, ngjarje kjo që ka nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka sqaruar se rritja e pranisë policore në veri është bërë me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët.
“Ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme.”, shkroi Sveçla tri ditë më parë.
Se qytetarët në veri ndjehen të pasigurt me zhvillimet e fundit e konfirmon për Mitropol edhe aktivisti i shoqërisë civile Deniz Hajrullahu, me banim në lagjen “Tre Rrokaqiejtë” në Mitrovicën Veriore.
”Shpërthimet e përditshme dhe barrikadat gjithandej na kanë bërë ta mendojmë seriozisht largimin nga banesat tona në jug të Mitrovicës. Nuk po ndjehemi aspak të sigurt. Kemi nevojë që policia të na ofroj siguri.”, u shpreh Hajrullahu për Mitropol.
Mitropol kishte raportuar ekskluzivisht nga vendi i ngjarjes për të gjitha zhvillimet në veri të vendit gjatë tërë kohës dhe fotografitë e përdorura nga Petkoviq për propagandë i kishte publikuar nga vizita që u bëri mbrëmë njësiteve policore në lagjet e banuara me shumicë shqiptare, ku lehtësisht vërehet se forcat policore ishin vetëm forca të rendit publik.