KOSOVËLAJME

Pjesëtarëve të Policisë së Kosovës iu ndërpre komunikimi me telefon, kjo është arsyeja sipas “Valës”

Foto ilustrim

Dhjetëra pjesëtarëve të Policisë së Kosovës sot u është ndërprerë komunikimi me telefon me numrat e kompanisë “Vala”.

Market Florenti
Roadside

KALLXO.com ka pranuar informacione se numrat e telefonit u funksiononin vetëm për të bërë thirrje në 192 por jo edhe për të kryer shërbime të tjera telefonike.

Florenti Company
Koha
Market Florenti
Market Florenti

Me këtë problem janë përballur edhe pjesëtarë të Policisë që janë duke punuar në veri të vendit edhe në kohë të tensioneve, të cilat po shfaqen kohë pas kohe pas 24 shtatorit dhe sulmit terrorist që ndodhi atje.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO ka kërkuar sqarime nga Telekomi i Kosovës.

Nga Telekomi i Kosovës kanë thënë se në asnjë formë Policisë së Kosovës nuk i ndërpriten shërbimet, porse ka qenë një pengesë që kanë pasur disa numra.

“Duhet theksuar se ndërprerja e shërbimeve për institucionin e Policisë së Kosovës nuk bëhet në asnjë formë, por ka qenë një pengesë që kanë pasur disa numra. Për informimin tuaj, TK ka kontratë me Policinë e Kosovës për ofrimin e shërbimeve mobile, dhe si pjesë e kontratës janë numrat postpaid që kanë tarifa mujore dhe numrat prepaid të cilët marrin mbushje mujore varësisht nga kërkesat që Policia e Kosovës i drejton tek ne” – ka thënë për KALLXO.com Fadil Lepaja nga Departamenti për Relacion me Publikun i Telekomit të Kosovës.

Sipas Lepajës, përderisa janë numra prepaid, afatet e numrave janë të ndryshëm andaj kjo ka afektuar komunikimin për një numër të zyrtarëve policorë që si pasojë nuk kanë mundur të realizojnë thirrje por vetëm të pranojnë.

“Tani kjo çështje është rregulluar dhe të gjithë numrat janë në rregull mund të komunikojnë pa pagesë me të gjithë numrat që i takojnë Policisë si benefit që ka ky institucion nga kontrata me TK” – ka theksuar Fadil Lepaja.

Më herët, gjatë ditës, nga Telekomi e Kosovës janë arsyetuar se ndërprerja  e shërbimeve për pjesëtarët e Policisë së Kosovës ka ndodhur me automatizëm.

Kjo pasi që ka skaduar kontrata njëvjeçare mes “Valës” dhe Policisë së Kosovës.

“Pasi ka skaduar validiteti njëvjeçar, si ishte paraparë me kontratë, këta numra me automatizëm kanë kaluar si deaktivë”- thuhej në përgjigjen e Lepajës.

Vetë Lepaja thotë se duke pasur parasysh rëndësinë e institucionit të Policisë së Kosovs, sidomos në këtë kohë, zyrtarët përgjegjës në Telekomin e Kosovës kanë intervenuar  dhe shërbimet janë rikthyer, duke e dhënë një afat  të mjaftueshëm për të rregulluar kontratën.

“Jemi me Policinë e Kosovës në këto ditë me sfida të mëdha të sigurisë!”- ka thënë Lepaja.

Për këtë problem, Policia e Kosovës ka heshtur dhe nuk ka kthyer përgjigje ndërsa pyetjet u janë dërguar sot disa orë më parë.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.

Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.

Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.