Plagë serioze të personave që u therën me thikë në Ferizaj
10-vjeçarja e cila është në mesin e viktimave që u therën me thikë të hënën në Ferizaj, është në gjendje stabile.
Megjithatë, shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK Shaqir Uka, në një përgjigje për Klankosova.tv, deklaroi se s’mund të thuhet se vajza gjendet jashtë rrezikut për jetën.
“Gjendja e pacientes për momentin prezantohet të jetë stabile, përkundër asaj që lëndimi ka qenë serioz. Ajo vazhdon të qëndrojë nën veprimin e barnave të gjumit, dhe e kyçur për aparature mjekësore. Vazhdon të marrë monitorimin dhe trajtimin e mjaftueshëm dhe të nevojshëm mjekësor përgjatë 24-orëve. Nuk them se është jashtë rrezikut për jetë, përderisa ajo është ende e varur nga aparatura dhe barnat, mirëpo gjendja e përgjithshme raportohet të jetë stabile për momentin”, tha Uka.
Nga ana tjetër, sipas drejtorit të Klinikës Torakale, Nazmi Kolgeci, ekipi kujdestar mbrëmë e ka operuar 10-vjeçaren me lëndime serioze, pasi plagët i ka marrë në pjesën e gjoksit.
Pos kësaj ekipi i njëjtë mjekësor e ka operuar edhe 29-vjeçarin, që po ashtu po vazhdon trajtimin në Mjekimin Qendror Instensiv.
Kolgeci tha për Klan Kosovën se këto dy raste më pas pritet të transferohen në Klinikën të cilën ky e drejton, atë të Torakales.
Ndërkaq, i theruri tjetër i moshës madhore i cili ishte trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, tashmë është liruar për në shtëpi. Këtë e konfirmoi për Klankosova.tv, drejtori i kësaj klinike Alban Olluri.
Sipas tij, ai kishte pasur plagë në kokë, mjekër, dhe qafë, për të cilat është nevojitur ndërhyrja e mjekëve për ndaljen e gjakderdhjes.
Ndërsa e mitura tjetër e cila ishte në mesin e viktimave të rastit të njejtë, është liruar mbrëmë për në shtëpi, pas trajtimit që ka marrë në Spitalin Rajonal të Ferizajt.
Sipas mjekut kujdestar në Spitalin e Ferizajt, Përparim Ramusa, 14-vjeçarja ka një trup të huaj në pjesën e krahërorit që mund të dyshohet se mund të jetë pjesë e metalit nga mjeti i mprehtë, për të cilën viktima duhet të lajmërohet te ortopedi për trajtim te mëtutjeshëm.
Ende nuk dihen motivet që çuan deri te therja e katër personave që ishin kalimtarë të rastit, dje pasdite në Ferizaj. Ndërsa lidhur me rastin u arrestuan dy persona, për të cilët policia tha se njëri u lirua e tjetri u dërgua në mbajtje.