Active 2
KOSOVËLAJME

‘Plani i tij është recetë për luftë’: MPJ s’e lejon të hyjë në Kosovë ish-ministrin serb, Vuk Jeremiq

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka ndalur hyrjen e ish-ministrit serb, Vuk Jeremiq në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një komunikate ku kanë thënë se mbështetja e Jeremiqit për “riintegrimin” e Kosovës së pavaruar në Serbi është e ngjashme me planin “riintegrues” të Putinit për luftën.

Active 1

“MPJ e Republikës së Kosovës ka ndaluar hyrjen në Kosovë të ish-MPJ të Serbisë Jeremiq. Mbështetja e Jeremiqit për “riintegrimin” e Kosovës së pavarur dhe sovrane në Serbi është e ngjashme me planin “riintegrues” të Putinit për Ukrainën – është një recetë për luftë”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e MPJ-së thuhet se Rusia dhe Serbia nuk do të dalën së krijuari tensione në Ballkan për aq kohë sa SHBA-ja dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme.

“Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan për aq kohë sa SHBA-të dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për krizat dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, pra duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës tutje ka thënë se Kosova dhe fqinjët tjerë të Serbisë të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, asnjëherë nuk do të “riintegrohen” në “botën serbe”.

“Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë. Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit”, thuhet në përfundim të komunikatës.

Çka ndodhi sot në veri?

Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.

Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.

Pellini