Policia kërkon bashkëpunimin tuaj për gjetjen e kësaj 25 vjeçareje të zhdukur nga nëntori

Policia e Kosovës ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët lidhur me rastin e zhdukjes së një të reje nga Lipjani. Sipas njoftimit zyrtar, më 20 nëntor 2024, është raportuar për zhdukjen e Arianita Gajtanit, e lindur në vitin 1999 dhe banuese në Lipjan, shkruan “Mitropol”.
Që nga dita e raportimit, njësitë policore të hetimeve dhe kërkimeve, në koordinim me prokurorinë dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh intensive për të lokalizuar të zhdukurën.
Veprimet përfshijnë:
•Intervistimin e personave që mund të kenë informacion të dobishëm.
•Kontrollin e hyrje-daljeve në të gjitha pikat kufitare të vendit.
•Kërkime në zona ku Arianita kishte frekuentuar zakonisht, si ambiente të hapura dhe të mbyllura.
•Analizimin dhe hetimin e çdo informacioni që mund të ndërlidhet me rastin.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të policisë, deri më tani ende nuk është arritur të gjendet vendndodhja e Arianitës. Për këtë arsye, policia bën thirrje për ndihmën e qytetarëve.
Të gjithë ata që posedojnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në lokalizimin e saj, ftohen të kontaktojnë policinë përmes numrit 192.
Policia siguron se çdo informacion do të trajtohet me konfidencialitet të plotë dhe apelon për bashkëpunim të ngushtë për zgjidhjen e këtij rasti.








