Policia konfirmon për “Mitropol”: Po hetojmë vdekjen e 48 vjeçarit, trupi i pa jetë u dërgua për obduksion

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë, në afërsi të pjesës së pasme të marketit “Kiper”, ku një person është gjetur pa shenja jete.
Sipas informacioneve fillestare, ekzistojnë dyshime se viktima mund të ketë rënë nga një lartësi e konsiderueshme, konkretisht nga një objekt banesor.
Burime të sigurta për “Mitropol” bënë të ditur se personi i ndjerë është Ilir Brahimi, 48 vjeçar me prejardhje nga fshati Koshtovë dhe se i njejti po banonte me qira i vetëm në objektin banesor nga i cili ka rënë poshtë. Brahimi ishte punonjës i Restaurant “Ibri” në Koshtovë.
Në vendin e ngjarjes menjëherë rreth orës 05:00 të mëngjesit dalë njësitet policore dhe ekipet shëndetësore. Në momentin e arritjes së ekipeve, siç mëson ekskluzivisht “Mitropol”, pranë viktimës s’ishin askush nga familja.
Edhe Policia dha detaje në lidhje me rastin për “Mitropol”.
Policia konfirmoi raportimin e “Mitropol”, duke pohuar se sot rreth orës 05:30 ka pranuar informatën se në rrugën “Ali Zeneli” është gjetur pa shenja jete viktima i gjinisë mashkullore, rreth 48 vjeçar. Njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
“Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen” dhe hetimet janë duke vazhduar.”, thanë nga Policia për “Mitropol”.








