Policia konfirmon raportimin e Mitropol për arrestimin e zyrtarit komunal – U bë me masa të fshehta

Pak minuta më parë “Mitropol” raportoi ekskluzivisht për arrestimin e një zyrtari komunal nga Komuna e Mitrovicës.
Pas raportimit të “Mitropol”, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit lëshoi një komunikatë me të cilën konfirmoi raportimin e Mitropol.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit (NjHKEK) – Mitrovice Jug, pas një informate (denoncimi) lidhur me dyshimin se personi i dyshuar B.S.,(viti i lindjes 1961, mashkull kosovar), në cilësi të personit zyrtar komunal, ka kërkuar ryshfet nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një GRANDI që lidhet me ri-atdhesimin.”, thuhet në komunikatë.
Hetuesit policorë nga NjRHKEK-Mitrovicë Jug, në koordinim me prokurorinë, më 04.07.2024 rreth orës 12:20, në sheshin ,,Isa Boletini” në Mitrovicë ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin pasi i njëjti ka marrë ryshfetin në shumën prej 200 eurove.
Hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, policia ka pasur urdhëresë tëlëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Renda.
Lidhur me këtë është iniciuar rasti “marrje e ryshfetit’, është njoftuar prokurori i çështjes, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë.
”Mitropol” posedon identitetin e plotë të zyrtarit të arrestuar, por nuk do ta publikoj deri në përfundimin e procesit./Mitropol/







