Policia kryen tri bastisje të reja në Mitrovicë dhe Zveçan, lidhen me sulmin terrorist në Banjskë

Sapo janë kryer tri bastisje të reja në territorin e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit lidhur me ngjarjet në Banjskë, përcjell “Mitropol”.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Kossev se aksioni i njësive të Policisë së Kosovës po përfundon, se nuk ka pasur incidente dhe as arrestime.
Ai nuk ka specifikuar vendndodhjet e sakta se ku është kryer bastisja, as nëse dhe çfarë është sekuestruar, por ka thënë se kontrollet kanë të bëjnë me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Po ashtu ai thekson se bastisja nuk është kryer nga policia e rajonit të Veriut, por ka pasur ndihmë nga zona tjera.
Në terren, afër hotelit “Ador”, i cili gjendet në hyrje të Spitalit të veriut në Mitrovicë, ekipi i Kossev ka gjetur një numër të madh të pjesëtarëve të njësitit intervenues, si dhe së paku një veturë të EULEX-it.

Aksioni ishte i shpejtë, u zhvillua pa incidente dhe policia u largua nga hoteli rreth orës 11:15. Sipas deklaratave të dëshmitarëve, nga ky objekt nuk ka qenë e dukshme heqja e materialeve apo sendeve.
Sipas deklaratave të një dëshmitari, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë, policia dyshohet se ka bastisur së paku një banesë në pjesën e banimit të objektit dhe se ajo është banesa e një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës me nacionalitet serb.
Sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, një nga kontrollet është kryer edhe në Lagjen e Boshnjakëve dhe së shpejti do të ketë më shumë informacione nga vendi i ngjarjes./Mitropol/








