
Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës ka përfunduar me sekuestrimin e një arme zjarri në qytetin e Mitrovicës, shkruan Mitropol.
Rasti ka ndodhur të shtunën mbrëma, rreth orës 20:15, në rrugën “Bislim Bajgora”. Sipas raportit policor, njësitë patrulluese kanë ndalur për kontroll një automjet, ku gjatë verifikimeve kanë hasur në një pistoletë të tipit 9×19 mm. Përveç armës, policia ka gjetur edhe dy karikatorë të mbushur me gjithsej 36 fishekë.
Hetimet kanë treguar se personi i dyshuar posedonte leje për armën, por kjo leje kufizohej vetëm për përdorim në poligon, jo për bartje të saj në hapësira publike. Me urdhër të prokurorit të rastit, është zgjeruar kontrolli edhe në shtëpinë e tij, ku është zbuluar dhe sekuestruar një karikator tjetër me 24 fishekë të të njëjtit kalibër.
Pas intervistimit në stacion policor, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa materialet e rastit i janë dorëzuar prokurorisë për veprime të mëtejme ligjore.








