
Policia e Kosovës në Rajonin e Mitrovicës ka realizuar dy operacione të ndara gjatë dy ditëve të fundit, ku ka konfiskuar gjithsej tri armë zjarri.
Në rastin e parë, që ka ndodhur në Mitrovicë, janë arrestuar dy persona pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një vend parkimi.
Gjatë incidentit, njëri prej të dyshuarve dyshohet se ka kanosur tjetrin, ndërsa nga ai është konfiskuar një pistoletë me 21 fishekë.
Të dy të dyshuarve, pas intervistimit, u është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale.
“Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armës” dhe “Sulm”.
Ndërkohë, në rastin e dytë që ka ndodhur në Vushtrri, policia ka arrestuar një person pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike me 30 fishekë, një pistoletë dhe një thikë.
Pas intervistimit, ndaj tij është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.








