Policia shkatërron 993 armë të llojeve të ndryshme

Policia e Kosovës, sot përmes një ceremonie zyrtare, kanë shkatërruar 993 armë të llojeve të ndryshme si dhe pajisje të shumta ilegale.
Përmes një komunikate, bëhet e ditur se në këtë ceremoni të shkatërrimit kanë marrë pjesë personalitete të larta, të cilët kanë dërguar mesazhe se me shkatërrimin e armëve, do të krijohet një mjedis më i sigurtë në Kosovë, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Policia e Kosovës, sot përmes një ceremonie zyrtare, bëri shkatërrimin e një sasie të konsiderueshme të armëve dhe pajisjeve të ndryshme të paligjshme, duke treguar se ky është një hap vendimtar drejt sigurisë më të madhe në Republikën e Kosovës, si dhe duke dërguar një mesazh tek të gjithë qytetarët, brenda dhe jashtë kufijve tanë, se Kosova është e vendosur për të mbajtur sundimin e ligjit, për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike si dhe për të larguar armët ilegale. Në këtë ceremoni të shkatërrimit të armëve morën pjesë personalitete të larta nga Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, UNDP-ja dhe zyra e BE-së, të cilët dërguan mesazhet e tyre te mediat dhe opinioni i gjerë, se duke shkatërruar dhe larguar këto armë nga qarkullimi, po kontribuojmë në krijimin e një mjedisi të sigurt që promovon sigurinë, shpëton jetë njerëzish si dhe parandalon e shmang tragjedi të mundshme”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se në baza vjetore, Policia e Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë numër relativisht të madh të municionit të kalibrave të ndryshëm si dhe mjeteve të ndryshme plasëse.
Në përfundim, kanë theksuar se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë armët ilegale.