“Policitë hetuese te dyert”: Kurti ndërhyn në punën e Prokurorisë: Ka një lloj përndjekje ndaj ministrave

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ekziston “një lloj përndjekje tendencioze” nga prokurorët ndaj ministrave të tij.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës të premten, shefi i qeverisë i mohoi akuzat për korrupsion për kontratat një-burimore.
Ai tha se në kontratat milionëshe një-burimore të iniciuara nga qeveritë dhe ndërmarrjet publike nuk ka asgjë të paligjshme.
“S’ka asgjë të paligjshme dhe ministrat e linjës e kanë shpjeguar këtë gjë, si ministri Aliu, ashtu edhe ministri Murati. Ajo që kemi bërë ne është se ia kemi shtuar buxhetin afër 200 milionë euro komunave, e për këtë do duhej të përgjigjeshin pse nuk e kanë bërë më herët. Nuk kemi shtuar ne kontrata një-burimore në raport me kontratat e përgjithshme. Unë e di qeverisjen tonë”, tha Kurti.
Ai theksoi se qeverisja e tij është e pakorruptuar.
“Nuk ka korrupsion në qeverisjen tonë. S’ka skandale të korrupsionit”, tha ai.
Kurti, po ashtu komentoi skandalin e Rezervës Shtetërore në të cilin u përmend përfshirja e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Unë garantojë se ministrja Rozeta Hajdari është grua e pakorruptuar, e ndershme si rrallë tjetër që mund të gjeni në Republikën e Kosovës. Nuk ka korrupsion tek ministrat tonë. A e dini se çka do të bënin gjykatat po të kishte sado pak indice për korrupsion”, tha kryeministri.
Ai nuk i kurseu sërish kritikat ndaj prokurorëve, të cilët i akuzoi për “një lloj përndjekje tendencioze” të qeverisë dhe ministrave të tij.
“A e dini ju që prokuroritë në Kosovë i ndërsejnë te ministritë tona vazhdimisht policitë hetimore. Dy portale shkruajnë, të nesërmen në mëngjes i ke policinë hetuese te dera para se të mbërrijë ministri në punë. Ka një lloj përndjekje tendencioze. Ku kanë qenë ata më herët gjithë ato skandale kanë ndodhur?”, tha ai. /Paparaci.com







