Active 2
KOSOVËLAJME

“Populli serb s’duhet ta harrojë kohën e tmerrshme” – Nga Presidenca i reagojnë Hill-it për deklaratën në 24-vjetorin e bombardimeve

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, me rastin e shënimit të 24-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në ish-Jugosllavi, ka thënë se ‘populli serb nuk do ta harrojë kohën e tmerrshme’, derisa iu shprehu ngushëllime familjeve që humbën familjarë nga sulmet ajrore, raporton Sinjali.

Ai shkroi në Twitter në 24-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, duke thënë se gjatë karrierës së tij, ka mësuar se ndodh që ndonjëherë diplomacia të dështojë, e kur kjo ndodhë, Hill tha se rezultatet mund të jenë tragjike.

Dukato 1

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë”, shkroi Hill.

E ndaj kësaj deklarate kanë reaguar nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani në një postim në Tëitter ka shkruar se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.

Ajo më tej thekson se në fakt Serbia nuk duhet ta harrojë atë periudhë pasi sulmet ndodhën si përgjigje ndaj veprimet të një regjimi brutal dhe gjenocidal.

“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, tha ajo.

Më tej këshilltarja Miftari në profilin e saj në Tëitter ka paraqitur edhe fjalimin e ish presidentit amerikan, Bill Clinton i cili i ishte drejtuar qytetarëve amerikan për sulmet e NATO-s ndaj caqeve të Serbisë dhe arsyeve pse duhet të ndërhyjnë.

Ndryshe, sulmet e NATO-s kishin filluar në orën 19:45 më 24 mars 1999, kur aeroplanët lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 24 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël, rreth 3.600 sosh. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Weelnes