KOSOVËLAJME

Pranon fajësinë Bujar Shabani, pronari dhe drejtori kompanisë “Bageri”, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën, i akuzuari Bujar Shabani, drejtori i kompanisë “Bageri” ka pranuar fajësinë për kryerjen e veprës “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” .

Roadside
Market Florenti

“Pas angazhimeve të mëdha që ishin në kompani nuk kam arritur t’i menaxhoi dhe kontrolloi të gjitha procedurat e tenderimit për ndonjë lëshim eventual, pasi që jam përgjegjës i kompanisë. E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën më ngarkon akuza prokurorit të shtetit”, ka deklaruar i akuzuari Shabani.

Market Florenti
Koha
Florenti Company
Market Florenti

Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Fitim Shabani deklaroi se pas analizimit të provave, kanë arritur në përfundim që objektivisht dokumentet apo kontraktimet mund të kenë qenë të rregullta por që procedurat e udhëhequra brenda kompanisë janë zhvilluar në mënyrë joadekuate.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari Shabani nuk e ka kundërshtuar prokurori Valdet Avdiu e më pas e ka aprovuar edhe kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi.

Tutje, në këtë seancë është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurori Avdiu tha se pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari i propozon gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtor, ndërsa të ketë parasysh rrethanat lehtësuese, ku sipas tij, përveç pranimit të fajësisë as tenderët e shpallur nuk janë fituar dhe nuk janë realizuar, andaj s’ka pas pasoja.

Ndërkaq, avokati Shabani në fjalë përfundimtare tha të merren parasysh se karakteristikat specifike të rastit, me theks të veçantë këto kontrata nuk kanë qenë esenciale që të fitohen, as këto projekte dhe as të tjera.

“Kjo kompani ka të paktën 15 inxhinier në çdo projekt, andaj gjithçka ka qenë vetëm për siguri të kompanisë. Kjo kompani ka 300 punëtor dhe një administratë prej 20 punëtorëve, ku lëshimet janë njerëzore dhe të kuptueshme”, tha avokati Fitim Shabani.

Me kaq dhe përfundoi gjykimi për këtë rast, ndërsa seanca për shpalljen e aktgjykimit u caktua në një datë tjetër.

Ndryshe, më 3 maj 2023 i akuzuari Bujar Shabani drejtor i kompanisë “Bageri”, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokument të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte ofruar të dhëna të rreme, përkatësisht kishte falsifikuar kontratat e punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, duke ndërruar përmbajtjen e kontratave të punës.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shabani e po ashtu pa lejen dhe dijeninë e të lartcekurve kishte përdorur diplomat e kualifikimit universitar, CV-të, referencat si dhe licencën për kryerjen e matjeve kadastrale në emër të Violeta Aliut, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, me ç’rast i njëjti është përzgjedhur si tenderues i suksesshëm duke përfituar projektin trevjeçar ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc.

Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 paragrafi 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.