
Sabit Kadriu është një nga kandidatët për Asamble Komunale në Vushtrri, shkruan Mitropol.
I lindur në Brusnik të Vushtrrisë, mbaroi studimet për Gjuhë Shqipe e Letërsi në Universitetin e Prishtinës dhe që nga viti 1988 ushtron profesionin e profesorit të Gjuhës Shqipe e të Letërsisë në Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri.
Nga viti 1991, Sabit Kadriu është angazhuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – Dega në Vushtrri, fillimisht në pozitën e nënkryetarit, ndërsa më vonë edhe të kryetarit. Nga kjo pozitë ka raportuar në KMDLNJ për dhunën e terrorin serb, ndërsa gjatë luftës edhe për mediat më të njohura kombëtare e ndërkombëtare.
Në vitin e parë, pas lufte, ai ka mbajtur edhe pozicionin e Nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë.
Në vitin 2000 u emërua Kryetar i Komisionit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, dhe më vonë, tri herë radhas, dëshmoi për krimet serbe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Ai është zgjedhur Këshilltar Komunal në Vushtrri në dy mandate, dhe është përqëndruar në hulumtimin e zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Sabit Kadriu është pjesë e listës së Vetëvendosjes, dhe mban numrin 13.








