Profesori amerikan për disa veprime të Kurtit: Vetëm pse diçka është ligjore dhe brenda Kushtetutës, nuk do të thotë që është politikë e mirë

Eksperti i poltikës ndërkombëtare dhe profesori i njohur amerikan, Charles Kupchan, ka thënë se Albin Kurti ka instinkt të mirë politik, por që, sipas Kupchan, disa prej vendimeve të tij politike kanë cenuar përparimin e vendit në raport me bashkësinë ndërkombëtare, shkruan Mitropol.
Kupkans, për Tëve1, tha se Kurti e ka tejzgjatur lojën nacionaliste.
“Fakti që ai ka qenë në pushtet për kaq gjatë dhe ka rifituar zgjedhjet është shenjë e aftësive të tija politike. Me këtë që thash, mendoj që Kurti deri në një masë e ka tejzgjatur lojën nacionaliste”, tha Kupchan.
Profesori amerikan shtoi se vendimet mbi targat, çështja e Asociacionit, ndalimi i dinarit, emërimi i kryetarëve në veri, kanë ndikuar, sipas tij, që Kosova të shihet si pjesë e problemit në dialogun Kosovë-Serbi.
“Mendoj që këta hapa kanë pasur efekt të mirë në vend, te ndjenjat nacionaliste në vend, por në plan të gjerë, nuk i kanë bërë Kosovës ndonjë të mirë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Ndoshta edhe kanë vështirësuar përparimin e dialogut me Serbinë. Nëse pyetja është nëse kryeministri ka të drejtë ligjore për të marrë këta hapa, atëherë përgjigja është po. Kosovës është vend sovran, duhet të ketë kontroll mbi të gjithë territorin dhe të gjitha institucionet që janë brenda kufijve të vendit. Vetëm pse diçka është ligjore dhe brenda Kushtetutës, nuk do të thotë që është politikë e mirë. Nuk do të thotë që përparon Kosovën kur jemi te marrëdhëniet rajonale dhe më gjerësisht.”, u shpreh Kupchan.
Charles Kupchan, ndër tjera, është profesor i Çështjeve Ndërkombëtare në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm dhe Departamentit të Qeverisë në Universitetin Georgetown në SHBA.








