Profesori serb: Politika e Millosheviqit është rikthyer në Serbi, tensionet në veri janë pasojë e veprimeve të Vuçiqit

Parimet e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq janë ende të pranishme në Serbi, thotë profesori universitar në Beograd, Ivan Videnoviq, ndërsa shton se një politikë e tillë vetëm se është kthyer në rrethana të reja ndërkombëtare.
Ai thekson se tensionet në veri të Kosovës janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Në një intervistë për ‘The Geopost’, Videnoviç shqyrton pozitën e pakicave kombëtare në Serbi, veçanërisht në kontekstin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Të drejtat e popujve pakicë në Serbi janë shumë më të këqija se të drejtat e serbëve në vendet e ish-Jugosllavisë ku ata jetojnë si minoritete,” thotë ai.
Diskutimi prek edhe strategjitë e ndjekura nga qeveria serbe, duke trajtuar veprimet diplomatike dhe propagandistike të presidentit Aleksandar Vuçiq në lidhje me Kosovën dhe marrëdhëniet rajonale.
“Politika e Sllobodan Millosheviqit në fakt është kthyer në Serbi, duam apo nuk duam, duhet ta pranojmë. Disa nga parimet bazë të politikës së Sllobodan Millosheviqit janë ende të gjalla dhe të pranishme, dhe në një masë të mirë edhe vetë aktorët e ngjarjeve në të cilat ai ishte fajtori kryesor janë sot të pranishëm në opinionin serb. Natyrisht, ajo politikë është rikthyer sot në rrethana të reja ndërkombëtare dhe me vetëdije të qartë se mënyra e zbatimit të asaj politike ishte e keqe dhe joefektive… Nuk ka dallim mes qeverisë dhe opozitës, të dyja janë në pozita identike. Ata ndryshojnë vetëm në atë që, prandaj, akuzojnë njëri-tjetrin se kush do ta zbatonte më efektivisht të njëjtën politikë, gjë që nuk vihet aspak në dyshim”, tha ai.
Në të nënvizohet se Aleksandar Vuçiq është përgjegjës për ngritjen e tensioneve në veri të vendit dhe tregon nëse Serbia e ka njohur de fakto shtetin e pavarur të Kosovës duke pranuar planin franko-gjerman.
“Tensionet aktuale në veri janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të Aleksandër Vuçiqit… Ai po përpiqet të luajë një lojë mace me miun me Kosovën, ose siç citoi vetë një varg nga filmi “Unë jam muzikant – jo, jo, Unë nuk jam muzikant’. Kështu sillet në raport me Kosovën – dmth e njeh Kosovën, pastaj nuk e pranon që e ka njohur. Më pas ai e pranon planin franko-gjerman-BE për Kosovën, por mohon se e ka pranuar dhe se praktikisht, siç e kanë thënë publikisht zyrtarët më të lartë të Evropës, do të thotë njohje de facto e pavarësisë së Kosovës. Për këtë lojë të tij, e cila në fakt shërben që serbët nga Kosova të mos e kuptojnë se ai në fakt e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ai ka edhe mbështetjen e heshtur të bashkësisë ndërkombëtare, sepse e shohin si të nevojshme politikisht për të”, thotë tutje ai duke shtuar se “kjo përbën padrejtësi ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, pasi ata janë pengje dhe viktima të lojës së tij”.