Pellini
02KOSOVËLAJME

Publikohen e-mailat zyrtare që tregojnë ndërhyrjen brutale të Faton Pecit në dhënien e granteve si ministër i Bujqësisë

“Nga 118 mijë përfitues të subvencioneve e mbi 1 mijë përfitues të granteve dhe në asnjë rast të vetëm nuk kam ushtruar asnjë ndikim e asnjë intervenim”.

Në momentin kur po deklaronte kështu Faton Peci duhet të ketë menduar se i ka fshehur të gjitha gjurmët e ndërhyrjeve brutale të tij e keqpërdorimeve të tjera në abuzimin masiv të granteve të shumta. 

Pellini

Por, për fatin e keq të ish-ministrit, VOX Kosova i ka gjetur. 

Ekskluzivisht, mediumi ka siguruar dokumente zyrtare dhe e-maila që dëshmojnë ndërhyrje mizore të Pecit jo veç në dhënie të granteve të ndryshme, por edhe në përcaktim, largim e shtrembërim të kritereve për grante në varësi të interesave të Pecit. 

Dëshmi e tillë është edhe një e-mail e 22 gushtit të vitit 2023, që fiks në orën 10 e 13 minuta, Sekretari i atëhershëm i ministrisë, Blerim Hasani, ia dërgonte pikërisht ministrit Faton Peci. 

Përmbajtja ishte shqetësuese.

“Me forcë dhe me presion, nuk mund dhe nuk e kam të lejuar ligjërisht të detyroj asnjë zyrtar të ndërmarr një veprim apo nënshkruaj një shkresë zyrtare, për të cilin i njëjti/njëjta, ka paraqitur arsyetimet pse nuk e realizon një veprim të tillë! Logjika për të shtyrë gjërat me forcë, presion, shantazh, etj etj, nuk shkon as në familje dhe jo më në Institucion shtetëror!”, i shkruante Sekretari, Ministrit.

Mesazhi tregon se sekretari po fliste për presione nga Peci dhe adresimi ishte përgjigje e ndërhyrjeve të Pecit në kriteret për dhënien e granteve. 

Sekretari i shqetësuar për këtë ndikim politike të ministrit, idrejtohej me lutje Pecit ta ndërpriste.

Por, Peci bënte të kundërtën.

Ua lëshonte presionin zyrtarëve të bëjnë ndryshime tëkundërligjshme aty, në favor të bizneseve dhe njerëzve të afërt me të.

Këto tjetërsime që Peci kishte bërë pa asnjë konsultim me ekspertët e departamenteve përgjegjëse, përfshinin heqjen e kriterit që aplikuesve për grantet për blerjen e mështjerrave t’ukërkohej toka që siguron bazën ushqimore.

Përballë presionit, zyrtarët e Ministrisë vazhdonin refuzimin e plotësimit të dëshirave jo ligjore të Pecit, por ministri ishte i vendosur dhe s’donte asnjë diskutim tjetër.

Në rreshtat pasues të letrës së sekretarit për Pecin, gjithçka bëhet e qartë. 

Arbitrarisht Peci po u kërkonte zyrtarëve të ministrisë tëndërhynin në procesin e dhënies së granteve. 

“Është e çuditshme që po më bëni vazhdimisht presion për këtë çështje dhe nuk po bindeni, e nuk po na ofroni një takim konsultativ, për trajtimin e komenteve, realizimin e konsultimeve dhe avancimin e dokumentit në fjalë!”, thuhet në e-mailin që u publikua ekskluzivisht për herë të parë sot.

Në përpjekje për të shtyrë përpara ndryshimet, ishin përfshirë edhe këshilltarë politikë të ministrit.

Më 29 gusht 2023, shtatë ditë pas emailit të parë, një tjetër mesazh dërgohet në adresën e këshilltarit të ministrit, Arian Bugari. 

Këtë herë dërgues ishte personi përgjegjës nga sektori i blegtorisë.

Tema ishte sërish e njëjtë: Kriteret e granteve, kësaj radhe të lidhura me racat e lopëve për import, për të cilat do të ndaheshin fondet publike.

Në email, ai ndaj këshilltarit të Pecit ngrinte alarmin për rrezik serioz të keqpërdorimit të parasë publike.

“…ju lutem, qe keto korigjime te zbatohen ne te kunderten Divizioni i blegtorise nuk perkrahe politika te cilat mund te kompromitojne PZHR dhe keqperdorimin e parasë publike”, i shkruante zyrtari, këshilltarit të Ministrisë, Arian Bugari, i cili më vonë u rehatua në shërbimin civil.

Duhet rikujtuar se ministri, në këtë rast Faton Peci, e aq më pak këshilltarët e tij, nuk kanë asnjë kompetencë ligjore për të ndërhyrë në kriteret e granteve. Madje u ndalohet. 

Për trysni të tilla politike ka edhe shumë dëshmi të tjera. 

Dëshmi të cilat, siç mëson mediumi, janë edhe në dorë të Prokurorisë, bashkë me deklarata e zyrtarëve të ministrisë që dëshmojnë imponime flagrante politike e jo ligjore të Pecit në çështje të dhënies së granteve, për çka Peci po vazhdon të hetohet. 

VIDEO

Weelnes