Aurora Group
KOSOVËLAJME

Publikohet raporti i “Freedom House”: Kosova sërish merr 60 pikë, përmenden edhe tensionet në veri

Organizata “Freedom House” ka publikuar të enjten raportin vjetor. Kosova është vlerësuar si vend “pjesërisht i lirë”, bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kosova ka marrë 60 pikë nga 100 pikë maksimale, pra pa ndonjë ndryshim nga viti e kaluar. Në lidhje me këtë, për “Zërin e Amerikës” ka folur Alexandra Karppi, ekspertja e organizatës për Ballkanin.

Market Florenti

“Vitet e fundit Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet tek rezultatet, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë, dhe shoqërisë civile veprimtari më aktive. Këto gjëra gjithsesi kanë shënuar përparim vitet e fundit.” – ka thënë ajo.

Veç kësaj, ajo ka theksuar se viti 2023 ka qenë i vështirë për Kosovën, duke përmendur dhunën në komunat veriore, gjë që sipas saj, mund të shkaktojë trysni ndaj Qeverisë që të sigurojë se po ofron mbështetje për të gjithë qytetarët.

“Kemi parë rritje të dhunës në komunat veriore, çka mund të vërë në mëdyshje shumë procese, dhe mund shkaktojë trysni ndaj qeverisë që të sigurohet se po ofron mbrojtje për të gjithë qytetarët e Kosovës…Këto janë procese afatgjata. Kjo është një situatë e stërzgjatur sigurie.” – ka thënë ajo.

Veç kësaj, Krappi ka potencuar qartë që janë bërë përparime të mëdha, megjithëse, ekzistojnë shqetësime për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.

“Kosova mbetet një nga vendet udhëheqëse në Ballkanin Perëndimor në disa nga shtyllat e rëndësishme dhe thelbësore të demokracisë.” ka thënë ajo.

Ndërkohë, vlen të theksohet se në raportin e vitit të kaluar të organizatës për lirinë në botë, Kosova ishte renditur e treta në listë për përmirësimet në këtë fushë. Kosova kishte marrë katër pikë plus për përmirësimin e të drejtave politike dhe të lirive civile.

Një gjë të tillë, në vazhdimësi e kishte përmendur edhe shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti. Në shumë evente, deklarata publike, kryeministri ishte lavdëruar me raportin, i cili këtë vit, na rendit sërish në pozitën e njëjtë.

Serbia ndërkaq, ka shënuar rënien më të madhe në Evropë. Sipas ekspertes Karppi, ajo është vlerësuar me 57 pikë, duke shënuar kështu rënie për tri pikë në kategorinë e të drejtave politike dhe lirive qytetarëve.

Veç kësaj, janë përmendur edhe zgjedhjet e mbajtura atje në fund të vitit 2023:

“Aktualisht ekziston frika e ndonjë lloj hakmarrjeje nëse kritikoni ashpër këtë qeveri. Pra, përgjithësisht, një pamje e përkeqësuar…Po shohim një hapësirë që sa vjen e ngushtohet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe po ashtu një zbehje të funksionimit të institucioneve demokratike.”

Në krye të listës të këtij raporti, është renditur Finlanda me gjithsej 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia të cilat kanë marrë nga 99 pikë.

Weelnes