
Qarkullimi i një valute të huaj, padyshim se është problem në vete për ekonominë e vendit tonë.
Kjo po bën “vaki” në vendbanimet me shumicë serbe. Në këto komuna vërehet qartë puna me valutën e Serbisë, “dinar”.
Se kjo është një “njollë e zezë” për ekonominë e Kosovës, e pranoi edhe Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.
Mehmeti, në një intervistë dhënë KosovaPress-it, ka folur për shumëçka rreth projeksioneve ekonomike për vitin në të cilin veçse kemi hyrë.
Tutje, ai komentoi problemet me të cilat pritet të përballemi si shtet, ndërsa konform parashikimeve, pohoi se pritet një rënie e inflacionit, me ç’rast paraashihet më pas edhe rritja ekonomike, që sipas parametrave matës, thuhet të jetë rreth 4 për qind.
“Ne kemi pasur raste dhe informata kur kanë operuar edhe bankat komerciale në mënyrë ilegale, të cilat kanë bërë qarkullim të dinarit. Ajo çka na takon neve si BQK, që me ligj është autoritet për rregullimin e të gjithë institucioneve financiare, duke filluar prej licencimit, mbikëqyrjes, rregullimit e kështu me radhë. Derisa kemi pranuar informatat e tilla për funksionimin e tyre, puna jonë si BQK ka qenë që të njoftojmë Policinë e Kosovës. Dhe ne kemi pasur raste kur i kemi njoftuar policinë deri tri herë”, tha fillimisht ai.
Në anën tjetër, Mehmeti deklaroi se si institucion po bëjnë maksimumin, kurse në bazë të diksrecionit, ata kanë për detyrë vetëm ta njoftojnë policinë, në momentin që përballen me raste të tilla.
“Ka pasur edhe raste kur janë marrë edhe veprime sikur rasti në Graçanicë, pastaj edhe veprime të tjera. Kështu që kemi vepruar së bashku me Policinë e Kosovës sa herë që është kërkuar. Mirëpo, plani operativ ndërtohet prej Policisë së Kosovës. Puna jonë që sa herë të hasim në raste të tilla, ta njoftojmë Policinë e Kosovës që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Këtë vit (2022) nuk kemi pasur raste që i kemi raportuar tek policia, por vitet e mëhershme po”, vlerësoi ai.
Si ishte?
Kosova pësoi një ngadalësim të vazhdueshëm të rritjes ekonomike gjatë vitit 2022. Sipas Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore të Kosovës, rritja reale ekonomike e Kosovës gjatë vitit 2022 pritet të mbetet ndërmjet 2 dhe 3 për qind, që përbën një ngadalësim drastik krahasuar me vitin 2021, i cili përfundoi me rritje ekonomike mbi 10 për qind.
Sipas ASK-së, aktiviteti ekonomik në Kosovë ka shënuar rritje reale prej 2.07 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2022. Në anën tjetër, parashikimet e Bankës Qendrore sugjerojnë rritje reale ekonomike prej 2.9 për qind.
Pandemia COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë ka bërë që shumë vende me të ardhura të ulëta të përballen me vështirësi ekonomike. Duke qenë se Kosova varet shumë nga importi, padyshim që fjala kyçe në temat që ndërlidhen me krizën ekonomike përgjatë vitit 2022 ka qenë inflacioni.
Siç shkruan Fondi Monetar Ndërkombëtar, që nga viti 2021, inflacioni është rritur më shpejtësi. Në vitin 2022, inflacioni në ekonomitë e zhvilluara arriti normën më të lartë që nga viti 1982, ndërsa në vendet në zhvillim arriti në nivele rekorde.
Mes vendeve që thyen rekorde të dekadave ishte edhe Kosova me inflacionin që preku kulmin në mesin e vitit 2022 duke arrit në 14,2 për qind. Kjo shkallë kaq e lartë e inflacionit mund të krahasohet vetëm me krizën globale të vitit 2002./Nacionale/








