KOSOVËLAJME

Qeveria: Kosova e përmbushi obligimin dhe përgjegjësinë e marrë për deeskalimin e situatës në veri

Në Komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve dështoi ditën e djeshme, si shkak i pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve.

Qeveria e Kosovës, ka reaguar të hënën duke theksuar se Lista Serbe, që ishte shkaktare e zgjedhjeve të mëparshme dhe iniciatore e këtij procesi, sërish ka refuzuar të marrë pjesë, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare.

Koha
Florenti Company
Market Florenti

Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votim dhe falënderon ata që e ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore.

Megjithatë, rezultatet e votimit sipas Qeverisë treguan mungesën e vullnetit për të shkarkuar kryetarët aktualë.

“Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Pas këtij votimi, Qeveria e Kosovës ka thënë se është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht.

Po ashtu, Qeveria ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kryetarët aktualë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre ndaj qytetarëve të katër komunave të përmendura.

Sipas reagimit të qeverisë, përfundimi i këtij procesi shënon përmbushjen e obligimeve të Kosovës ndaj qytetarëve të saj dhe angazhimit për deeskalimin e situatës në veri të vendit.