QKUK jep detaje për gjendjen shëndetësore të policëve që u aksidentuan në veri, dy nga ta lirohen në shtëpi

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në veri të vendit, ku si pasojë të lënduar mbetën tetë zyrtarë policorë.
Nga QKUK-ja sot kanë njoftuar se dy nga tre policët e lënduar në këtë aksident pritet që të lirohen në shtëpi, pas tretmanit mjekësor që kanë marrë, derisa njëri nga ta pritet të operohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale.
“Dy, nga tre policët e lënduar në veri të Kosovës pritet të lirohen në shtëpi, pas tretmanin mjekësor që kanë marrë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, përderisa njëri prej tyre pritet të operohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale.Polici që është operuar si rast urgjent në kërcin e gjurit, në Klinikën e Ortopedisë, ka gjendje stabile shëndetësore dhe është në përkujdesje të stafit shëndetësor të kësaj klinike, pritet të lirohet gjatë ditës së nesërme”, thuhet në njoftimin për media.
Po ashtu thuhet se ai ka marrë gjithë kujdesin e nevojshëm, kurse Klinika e Ortopedisë, për punën profesionale ka pranuar falënderim nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë e Kosovës, të cilët kanë përcjell edhe falënderimet e familjes së tij.
“Ndërsa rasti tjetër që është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, pas trajtimit, pritet që gjatë ditës të lirohet në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore.
Trajtimin shëndetësor do të vazhdojë njëri nga të lënduarit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, i cili aktualisht ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet që t’i nënshtrohet një operacioni”theksohet në njoftim.