
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka zhvilluar një takim me kandidatin për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, në fshatin Gllanasellë, ku kanë diskutuar për aktualitetin politik, sfidat dhe arritjet, me theks të veçantë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Lladrovci ka vlerësuar lart përkushtimin e Tahirit në qytetin e Mitrovicës, të cilin e ka quajtur “qytetin e minatorëve dhe të Kadri Veselit”, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të brezave të rinj në proceset politike.
Sipas tij, pavarësisht dallimit në moshë, debati dhe bashkëpunimi mes brezave përbëjnë forcë dhe jo pengesë.
“Përvoja ime dhe hovi i Arianit kanë të njëjtin synim: fitoren më 28 dhjetor dhe Bedri Hamza të bëhet kryeministër”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka shtuar se Arian Tahiri i përket një gjenerate që merr përgjegjësi, me rrugë të qartë politike brenda PDK-së, duke e cilësuar këtë parti si parti të heronjve të luftës dhe paqes, si dhe të qytetarëve që kontribuojnë në shtetformim dhe shtetndërtim.
Lladrovci ka theksuar se përkrahja për Arian Tahirin është përkrahje për një Kosovë me vlera, zhvillim dhe perspektivë për rininë.
“Bashkë. Përpara”, ka përfunduar ai, duke ritheksuar synimin për fitore në zgjedhjet e ardhshme.








