Raportuesi për Serbinë në PE: Përgjegjësi të plotë për Banjskën, mospengim i Kosovës në organizata ndërkombëtare
Banjska dhe vendosja e përgjegjësisë së plotë për kryerësit.
Kjo është ajo çka Parlamenti Evropian – si kryefjalë – kërkon nga Serbia, tha Raportuesi i ri kroat për Serbinë në PE, Tonino Picula, në një intervistë për agjencionin e lajmeve “Beta”.
Picula, një socialdemokrat dhe politikan aspak fjalë-butë sa i përket Serbisë dhe rolit të saj destabilizues në rajon, ka kritikuar ashpër Beogradin me të njëjtat tona edhe tash në rolin e ri të raportuesit në PE.
Duke folur për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjskë, Picula kërkoi përgjegjësi të plotë për sulmin dhe vendosjen e kryerësve para drejtësisë – gjë që Beogradi gjer më tash s’e ka bërë dhe që për më tepër e ka shmangur me çdo kusht.
“Serbia duhet të inicojë dhe kompletojë procesin e përcaktimin të përgjegjësisë për tëgjithë ata të përfshirë në Banjskë dhe të punojë për qetësimin e përhershëm të tensioneve në Kosovë”, ka thënë eurodeputeti kroat.
Picula duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se është procesi kyç për të dyja palët në rrugën e tyre drejt BE-së.
“Isha në mesin e të parëve që mirëpriti planin frankogjerman dhe Aneksin e Ohrit si rivitalizim e Procesit të Berlinit. Fatkeqësisht, në vend se të shkohet në në fazë të negociatave për marrëveshje finale, ne u futëm në një fazë të krizave të reja dhe përshkallëzimi të dhunës”, ka thënë Picula.
Se si duhet të kristalizohet normalizimi i marrëdhënieve – në rrafshin përfundimtar – Picula ishte kësaj here më i mjegullt.
Tha që konkluzioni duhet të jetë që palët – i.e Kosova dhe Serbia – duhet të arrijnë në një pikë që nuk bllokojnë anëtarësimin në BE të njëra-tjetrës: pikë kjo e paraparë qysh në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Pyetur nga agjencioni serb i lajmeve “Beta.rs” nëse Kosova mund të bëhet antëare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Picula tha se kjo është e ndërvarur “nga shumë faktorë”.
“Mendoj se në masë të gjerë ky është një proces komplementar dhe paralel konkluzioni i të cilës varet nga shumë faktor. Tashmë veçse ka aranzhime në dialog që Serbisë i kërkohet të mos pengojë e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Picula.
Eurodeputeti kroat ka pasur edhe kritika të mëdha për Beogradin në rrafshin e saj të brendshëm e të jashtëm: prej mosrreshtimit të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me unionin evropiane, përkatësisht mosvendosja e sanskioneve ndaj Federatës Ruse e deri te politikat e brendshme në detriment të lirive dhe demokracisë.
“Qeveria në Serbi shpesh demonstron tendenca autoritare dhe antievropiane dhe ne e kemi shfaqur pa mëdyshje veten në një sërë raportesh dhe rezoluta në PE”, ka thënë Tonino Picula.
“Rezoluta e përmendur tashmë për zgjedhjet e fundit parlamentare është shembull i reagimit tonë të shpejtë”, tha ai.
“Një pyetje tjetër është se sa e gatshme është të pranojë të gjitha kriteret pa të cilat nuk ka anëtarësim në BE. BE-ja nuk është vetëm një treg i përbashkët, por edhe një komunitet vlerash dhe komunitetesh të përbashkëta të rreziqeve të ndryshme”, tha ai.
“Nga BE-ja nuk mjafton vetëm tërheqja e përfitimeve financiare, por edhe vlerat demokratike që janë parakusht për anëtarësim. Në BE pranohen jo vetëm ekonomi të qëndrueshme, por edhe shoqëri të konsoliduara demokratike. Dhe në këtë fushë, Beogradi zyrtar duhet të bëjë shumë për të konfirmuar atë që deklaron zyrtarisht”, theksoi raportuesi i Parlamentit Evropian.