Rasti ‘Avicena’: Krimet Ekonomike kontrolluan 36 lokacione, sekuestrohen rreth 10 armë e 600 fishekë
Krimet Ekonomike kanë zhvilluar të enjten aksion në shumicën e pikave të rrjetit të laboratorëve dhe poliklinikave ‘Avicena’ në Kosovë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.
Gjatë këtij aksioni, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kontrolluar 36 lokacione të ndryshme.
Si prova materiale, janë gjetur dhe sekuestruar: tri pistoleta, 6 copë armë të gjata, 598 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një telefon, 2 shtëpiza kompjuteri, 7 DVR dhe dokumente të ndryshme, njoftoi sot Policia.
Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar, të cilët me vendim të prokurorit janë liruar, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
Ndryshe, Prokurori i rastit dje deklaroi se aksioni lidhet me dyshimin që certifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshuar prej pikave që nuk kanë pasur licencë nga ky laborator./Sinjali