Reagon Luan Krasniqi, nuk kam interesim të bëhem Ambasador, jam mirë me epitetin që më ka dhënë sporti

Ish boksieri shqiptar, Luan Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social facebook ka reaguar në lidhje me thashethemet se ai mund të emërohet ambasador i Kosovës në Gjermani, shkruan Mitropol.
Krasniqi thekson se këto thashetheme nuk janë të vërteta, the se nuk është në interesimin e tij të marr detyrën e ambasadorit.
“Prandaj, përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dieni”, shkroi Krasniqi.
Krasniqi në këtë postim theksoi se është i kënaqur me epitetin që atij i ka dhënë sporti, dhe se do të vazhdojë të punojë për ndërtimin e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Postimi i plotë:
Miq të mi të respektuar,
sot, në shumë portale dhe në disa media elektronike, qenka publikuar një propozim që unë të emërohem ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani. Ju informoj se, unë, tashmë 35 vite, e mbaj me krenari epitetin e ambasadorit sportiv të dhuruar nga aderuesit sportiv dhe me krenari, vendin tim e kam përfaqësuar në sportin e boksit, me të cilin kam përjetuar kënaqësinë duke u ngjitur në piedestalin më të lart të karrierës sportive.
Prandaj, përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dieni. Unë, mbetem i përkushtuar në vendosjen e urave të reja të miqësisë së Kosovës dhe Gjermanisë duke ndihmuar e mbështetur nisma dhe angazhime për të mirën dhe të mbarën e njerëzve, dhe nuk pretendoj asnjë funksion, detyrë apo emërtim, si ky që është dhënë.
Luani, mbetet sportist dhe mik i juaji i mirë.
Ambasadorit të ri të Kosovës në Gjermani, që tash i uroj sukses, kurse Juve, miq të mi, Ju paça të gjithëve me shëndet!
03.09.2021,
I juaji, Luani







