Reparti i Infektivës në Spitalin e Mitrovicës pritet të mbyllet, do të shndërrohet në shërbim ambulantor
Reparti i Infektivës në Spitalin e Mitrovicës do të mbyllet për t’u shndërruar vetëm në shërbim ambulantor. Pra, aty nuk do të ketë më shtretër ku pacientët mund të hospitalizohen për 24 orë a ditë të tëra, por do të ofrohen shërbime ambulantore prej orës 7:00 deri në ora 15:00.
Ky ndryshim u bë me kërkesë të Spitalit e me aprovim të Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), i cili e vlerësoi kërkesën si të arsyeshme.
Spitali arsyetoi këtë kërkesë duke thënë se kanë vetëm një mjeke, e cila pensionohet pas një viti, dhe se numri i pacientëve është po ashtu i vogël, përderisa kanë kërkesa jashtëzakonisht të mëdha nëpër reparte të tjera.
E kemi një mjeke e cila pensionohet edhe një vit. Kemi pak pacientë të hospitalizuar dhe janë raste që mund të trajtohen edhe në reparte të tjera. Shpesh me javë të tëra s’është asnjë pacient i hospitalizuar dhe infermieret duhet të rrinë” – tha Gëzim Berisha, drejtor mjekësor i Spitalit, në mbledhjen e bordit më 04.09.2024.
Megjithatë, Berisha tha se ata do të mund të hospitalizojnë pacientët që kanë nevojë të shtrihen në Infektivë, në repartet e Internos apo të Pulmologjisë, madje edhe t’i izolojnë rastet që kanë nevojë për izolim.
Ai tha se nuk kanë as specializantë që pritet të specializojnë së shpejti në rajonin e tyre, kur u pyet nga anëtarja e bordit, Vjollca Kadolli – Halili.
Shndërrimin e repartit në shërbim ambulantor e përkrahu edhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.
“Jam i pajtimit për transformim por duhet me mendu për të ardhmen, Spitalit të Mitrovicës i duhet Infektiva” – tha Azizi.
Bordi i SHSKUK-së kishte rekomanduar në vazhdimësi që repartet që kanë shfrytëzim të ulët të shtretërve të shndërrohen në shërbime ambulantore, duke e vlerësuar kështu si më kost-efektive.
Anëtarja e bordit, Tetore Olloni përgëzoi Berishën për këtë nismë dhe për përmbushjen e rekomandimit të bordit për shfrytëzim racional të kapaciteteve njerëzore.
Sipas të dhënave të Spitalit, në gjysmën e parë të vitit 2024 janë hospitalizuar 58 pacientë, në vitin 2023 gjithsej 93 pacientë e në vitin 2022 në total 74 pacinetë.
“Ndërsa, shërbime ambulantore në periudhën kohore 2020-2024 kanë marrë shërbime 13793 pacientë” – tha zëdhënësja e institucionit, Nita Mustafa.
Stafi i tepërt i repartit, siç tha Mustafa do të zhvendoset në repartet e tjera ku ka më shumë nevojë.
Bordi i SHSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Dren Boshnjaku dhe anëtarët – Tetore Olloni, Vjollca Kadolli – Halili, Besa Balidemaj, Rrezarta Bajrami – Halili dhe Ismet Ramadani. Në këtë mbledhje ka munguar vetëm Rrezarta Bajrami – Halili./Kallxo