Rinisin punimet në konservimin e shtëpisë së familjes Koroglu, ministri Çeku kërcënon kryefamiljarin

Sot për herë të dytë kanë rinisur punimet në konservimin e shtëpisë monumentale të familjes Köroglu në lagjen “Nexhip Dragaj” në qendër të Mitrovicës.
Kjo shtëpi daton qysh nga gjysma e parë e shekullit XIX dhe i takon stilit osman të ndërtimit të shtëpive. Shtëpia ndodhet në lagjen e njohur në popull si Kaçamak Mëhallë, jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës, në oborrin e gjërë të saj. Sipas të dhënave shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shek. XIX nga familja e lartpërmendur, Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur. E ngritur mbi bazën -themelin me gurë, muret masive janë të muratuara në përdhesë nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat. Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror – horoson. Në anën jugore të shtëpisë çardaku del në formë prizmatike.
Kjo shtëpi e cila është futur në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore në vitin 1978, në kohën kur Kosova njihet si Krahinë Autonome Socialiste e Jugosllavisë ka pasur funksion banimi deri në vitin 2007, kur për shkak të vjetërsisë dhe dëmtimit të dukshëm të infeastrukturës, familja e Ergin Koroglut, vëllaut të madh të familjes detyrohet të dalë nga shtëpia. Përgjatë viteve, shtëpia është dëmtuar edhe më shumë si pasojë e mosbanimit dhe kushteve atmosferike të cilat kanë dëmtuar dukshëm këtë objekt.
Punimet për konservimin e shtëpisë nga Ministria e Kulturës kishin nisur të marten e 31 tetorit, pas disa muajsh neglizhence ndaj kërkesës që kishin ngritur shoqëria civile, respektivisht Rrjeti i Organizatave Kulturore dhe institucionet kulturore të Mitrovicës, më 21 gusht, pasi Policia më 18 gusht njoftuar se kishte arrestuar një person rreth orës 00:35 meqë kishte pranuar informatën se objekti në fjalë u dëmtua nga jashtë, rast ky për të cilin familjarët kishin deklaruar se nuk kanë pasur njohuri as për ngjarjen e as për personin në fjalë, i cili ishte liruar nga Prokurori në procedurë të rregullt.

Në po të njejtën ditë kur filluan punimet në konservim, në ora 20:00 të asaj mbrëmjeje shtëpi mori flakë.

I menjëhershëm ishte reagimi i zjarrëfikësve në shuarjen e zjarrit dhe sigurimin e pronave përreth shtëpisë së djegur. Në vendin e ngjarjes përveç zjarrëfikësve arritën edhe Policia e Kosovës.
Pas njësiteve të rendit publik, në vendngjarje erdhën edhe ekipet e hetuesisë për të kryer hetime.

Në lidhje me ngjarjen “Mitropol” kishte kontaktuar edhe drejtoreshën e Kulturës në Komunën e Mitrovicës, Valdeten Idrizin.
Idrizi tha për “Mitropol” se ishte e tmerruar me rastin dhe se MKRS do duhej të intervenonte në objekt qysh moti.
Menjëherë pas saj “Mitropol” kontaktoi edhe kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza i cili tha se objektet që vendosen nën trashëgimi kulturore nuk do duhej veç të futen aty, do duhej me pasë plan edhe çka me bë me to më tutje.
Hamza shtoi se të gjitha objektet që vendosen në trashëgimi kulturore përveç që vendosen duhet me pasë plan edhe çka me bë me to, se qysh me i mbrojtë dhe qysh me i konservu e jo veç me i futë në trashëgimi dhe me i lënë ashtu sepse ato pastaj dëmtohen si rezultat i rrethanave të ndryshme.
Të nesërmen e ngjarjes, dje më 1 nëntor në ambientet rreth shtëpisë veç zyrtarëve të Zyrës për Trashëgimi Kulturore po qëndronin edhe Zjarrëfikësit, Policia por edhe ekipet e FSK-së për materie të rrezikshme.

Çka thonë familja për shtëpinë dhe historikun e saj?
Shtëpia e vjetër e familjes Koroglu ndodhet në të njejtën hapësirë me dy shtëpitë e reja dhe një tjetër shtëpi të vjetër, poashtu prona të familjes.
Ajo është e pabanuar që nga viti 2007. Pronarë të saj janë tre vëllezërit, Ergin, Erhan e Adnan Koroglu, të tre mbi 75 vjeç, prindër e gjyshër.
Në pronat rreth shtëpisë banojnë vëllau i madh Ergin Koroglu me gruan, vëllau tjetër Adnan Koroglu me gruan dhe i biri i Adnanit, Sancari me gruan dhe tre fëmijët, njëri nga të cilët i diagnostikuar me autizëm.
Vëllau i mesëm Erhan Koroglu ndodhet në Turqi pasi shkon shumë shpesh atje për shkak të problemeve shëndetësore.
Pronarët thonë se ata vazhdimisht u neglizhuan e u refuzuan nga Ministria e Kulturës në kërkesat zyrtare të tyre drejtuar institucionit në fjalë. Ata vazhdimisht kërkuan nga shteti sqarim në lidhje me intervenimin e kompenzimin në dhe për pronën e tyre, por se vazhdimisht hasën në çasje agresive nga ta.
Që nga viti 2007, familjarët vazhdimisht në mënyrë konstante përmes komunikimit zyrtar kanë kërkuar përgjigje për procedurat dhe të drejtat ligjore për pronën e tyre, por asnjë nga zyrtarët e Ministrisë e as të QRTK-së, të cilët sipas avokatit të familjes, Bajram Halimi e kanë obligim kushtetues e moral sqarimin në kërkesat e familjes.
“Pasi ia kam sqaruar si përfaqësues ligjor i tij që ka të drejtën e kompenzimit për pronën e tij. Zotëri Adnan veç kërkonte ta dinte se a ka të drejtë pas ndërhyrjes emergjente të Ministrisë në pronën e tij të kërkojë kompenzim për pronën familjare apo tash ia merr shteti pronën. Pas sqarimit ai tha se ishte në rregull me gjithçka dhe se ndërhyrja nuk ishte problem, duke u paraqitur edhe ca kërkesa bazike.”, tregon Halimi për “Mitropol”.
Këto kërkesa që janë drejtuar për periudhën pas fillimit të punimeve gjetën edhe mirëkuptimin e Ministrisë, kërkesa këto që do trajtohen në vijim të artikullit.
Çka tha Ministria e Kulturës e çka Gjykata Supreme?
Familja tregon për “Mitropol” se që nga viti 2007, vazhdimisht i janë drejtuar Ministrisë duke kërkuar një zgjidhje për pronën e tyre, pra renovimin e saj dhe kompenzimin e pronës për ta, ose largimin e pronës nga lista e përkohshme për mbrojtje dhe futjen në mbrojtje të përhershme, ashtu siç kërkohet ligjërisht.
Familja tregon se bazuar edhe në vendimin konstatimin e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Ministria e Kulturës vazhdimisht e ka futur objektin në listën për mbrojtje të përkohshme ani pse kjo bie ndesh me nenin 3.6 në LTK, edhe pse ky ligj nuk e lejon vazhdimin e saj për më shumë se një vit.
Më tutje, më 31 mars të vitit 2009, familja Koroglu padit Ministrinë e Kulturës, për shkak të heshtjes së Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës në lidhje me amortizimin e të gjithë përbërësve të objektit në fjalë, obligon IKMM-në të mirëmbaj objektin.
Për shkak të heshtjes së organit të shkallës së parë, paditësit kanë ushtruar ankesë organit të shkallës së dytë, duke kërkuar që ai, në kuadër të kompetencave të veta të mirëmbaj objektin, ose te anuloj aktvendimin nr.02-354 date 1. shtator 1978 të Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Kosovës dhe paditësve t’iu mundësoj rrënimin e objektit dhe ndërtimin e objektit te ri.
Edhe pas vendimit të Gjykatës, Ministria sjell aktvendim për refuzimin e kërkesës së palës paditëse dhe vazhdon ta mbajë nën mbrojtje të përkohshme objektin, duke mos ndërmarrë asgjë në mirëmbajtjen e tij.
Andaj, familja kërkon nga Gjykata vendim në lidhje me refuzimin e kërkesës së tyre dhe mosndërmarrjen e veprime të obliguara ligjore nga Ministria.
Pasi familja drejtohet sërish në Gjykatën Supreme, e njejta anulon vendimin e Ministrisë pasi paditësit (familja) me padi e kontestojnë aktvendimin e të paditurëz (Ministrisë), për shkak të mosrespektimit të rregullave të procedurës administrative, vërtetimit të gabuar dhe jo te plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale në dëm të tij. Ka propozuar që padia të aprovohet, aktvendimi i kontestuar të anulohet.
Gjykata Supreme ka gjetur se aktvendimi i goditur përmban të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund të shayrtohet ligishmëria e tij, pra që aktivendimi i Ministrisë bie ndesh me ligjin.
Pas tërë këtyre veprimeve ligjore, pronarët i drejtohen edhe avokatit të popullit, i cili nuk kthen përgjigje në kërkesat e familjes prej vitit 2015, gjersa përgjigjen e kthen përmes një vendimi të sjellur më 12 qershor 2023, 8 vite pas kërkesave të familjes, vendim përmes të cilit me mbyll lëndën A nr. 165/2015, e cila është formuar në bazë të ankesës që e kanë parashtruar tre vëllezërit Koroglu, më datë 27.03.2015 (datë kjo që nuk është cekur fare në tekstin vendimit në fjalë).
Sipas kryefamiljarit Erhan Koroglu, në bazë të ligjit të Trashëgimisë Kulturore, në vitin 2006, bie poshtë vendimi i vitit 1978.
”Me dispozitat kalimtare nuk është paraparë që objektet që janë fut nën mbrojtje si monument kulturor të vazhdojnë të jenë nën mbrotjtje. Me ligjin e 2006-ës për herë të parë objektet futen në listën për mbrotjtje të përkohshme për një vit. Pra këto 8 vitet deri në vitin 2014 de-jure nuk ka qenë nën mbrojtje. Përveç kësaj Gjykata Supreme nuk e cek këtë çështje.
Në vendimin që ka sjellur, Avokati i Popullit thotë se ankesën që ka pranuar nga pala pa cekur datën e pranimit) në bazë të nenit 16, paragrafi 1, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, gjë që sipas asaj që thonë familjarët nuk është e mundur, duke pasur parasyshë faktin se ankesën e ka pranuar me 27.03.2015 e ligji në të cilin thirret ësht shpallur me dt. 15.06.2015.
Në një note proteste dërguar Presidentes, Zyrës Amerikane të USAID-it, Zyrës së Këshillit Evropian në Kosovë, Departamentit për të Drejtat e Njeriut të OSCE, Departamentit për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut më datë 03 korrik 2023 familjarë thonë se pa marrë parasyshë se edhe dispozitat e nenit 17 i ligjit nr. 03/L-195 i cili ka qenë në fuqi në kohë të dorzimit të ankesësë janë identike me dispozitat e nenit në të cilin thiret në vendim, Avokati i Popullit bën lëndimin e ligjit, me qëllim që ta kamufloj zvarritjen 8 vjeçare të hetimeve dhe marrjen e vendimit, me të cilin i ndërpret ato hetime.
Në shkresën e tyre familja thotë se vendimi i Avokatit të Popullit ka bërë shkeljem e të drejtave të njeriut si një organ administrativ.
Familja ende nuk ka marrë një sqarim ligjor për krejt situatën, madje thonë se janë përballur edhe me kërcënim nga ministri Hajrulla Çeku, përkundër dëshirës së tyre për bashkëpunim.
Çka deklaroi pronari Adnan Koroglu për renovimin?
Më 24 gusht, në hapësirat e muzeut të qytetit u mbajt debati publik mbi zhvillimet e fundit në Trashëgiminë Kulturore në Mitrovicë, përkatësisht debate mbi ngjarjen e rrënimit të pjesshëm të shtëpisë më të vjetër në Mitrovicë, Shtëpisë së familjes Koroglu.
Në këtë debat, ishte i pranishëm edhe pronari Adnan Koroglu i cili tregoi kronologjinë e ngjarjeve lidhur me statusin e pronës së tij ku i njejti ndau zhgënjimet e tij mbi neglizhencën dhe arrogancën institucionale, për sa i përket vlerësimit të kësaj shtëpie dhe hapësirës përreth saj dhe mungesës së mbrojtjes adekuate nga ana e shtetit. Apeloi për mbrojtje të kësaj prone, duke bërë thirrje që të vendoset në listën për mbrojtjen e përhershme nga ana e Ministrisë dhe shtoi se nuk do dëshironte që në të ardhmen ta ketë fatin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Z.Koroglu kërkoi ofrimin e një zgjidhjeje nga organet kompetente, qoftë përmes negocimit me ndonjë parcelë tjetër tokësore në qendër të Mitrovicës, apo çfarëdo zgjidhje tjetër të drejtë për të gjitha palët e përfshira në proces.
Në fund të këtij debati u dhanë rekomandime dhe ide të veprimit të mëtutjeshëm të cilat janë si vijon:
1. Ndërmarrja e masave të sigurisë teknike
2. Hartimi dhe zbatimi i një plani të konservimit dhe restaurimit të pronës.
3. Ndalimi i qarkullimit të personave të paautorizuar
4. Hartimi i planit të restaurimit
5. Hartimi i një koncept plani negocimi për Komunën dhe MKRS.
Por, pronari Koroglu nuk e ndërpreu komunikimin me Ministrinë e as me organet e tjera.
Ai përmes avokatit të tij, z. Bajram Halimi adresoi ca kërkesa bazike me rastin e fillimit të punimeve në restaurim.
Në kërkesat e tij, Adnan Koroglu kërkoi nga Ministria që:
1. Të kihet kujdes dhe të mos krijohet zhurmë e madhe, pasi shtëpia ku kryhen punimet ndodhet e ngjitur me shtëpinë ku banon i biri i tij, Sancari me gruan dhe tre fëmijët, njëri nga të cilët me autizëm.
2. Të mos dëmtohet muri rrethues i objektit.
3. Të ruhen materialet e shtëpisë që nxirren nga restaurimi dhe t’i jipen në shfrytëzim të familjes, në rast se nuk përdoren në restaurimin e objektit.
Me këto kërkesa u pajtuan edhe zyrtarët nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore.
“Lidhur me kërkesat e familjes, besoj se nuk ka asnjë problem të respektohen. Në këtë relacion vlenë të theksohet se, me rastin e ndërhyrjeve teknike në ndërtesë nga vendi I punishtes nuk lejohet të largohet asnjë element apo material ndërtimore në përkatësi të ndërtesës. Çdo element apo material ndërtimor I saj, detyrimisht pastrohet dhe deponohet në mënyrën e duhur dhe të sigurt në vend punishte/ndërtesë, të cilat do tërbejn me rastin e restaurimin të monumentit/ndërtesës.”, tha zv. drejtoresha Gjejlane Hoxha në emailin dërguar avokatit familjar.
“Me rastin e nisjes së punimeve, gjithahshtu rikujtoj se, në vend punishte të monumentit ndalohet çasja e personave të paautorizuar dhe krijimi i sigurisë nga avaritë apo dëmtimet e mundëshme. Krijimi i sigurisë deri në përfundimin e punimeve është në përgjegjësi të operatori të kontraktuar për zbatimin e punime.”, u tha mes tjerash.
“Në vijim duhet theksuar se, përgjatë punimeve emergjente të sigurisë së përkohshme teknike, QRTK të kujdeset për kompletimin e studimit dhe planit të konservimit të monumentit në trajtim, duke konsideruar restaurimin rrënjësor të ndërtesës dhe adaptimin për përdotrim bashkëkohorë, si dhe rregullimin e mjedisit rrethues që siguron integritetin hapësinor të monumentit.”, thuhet në përgjigjen e zv. Drejtores Gjejlane Hoxha.
Si e kërcënoi ministri Hajrulla Çeku kryefamiljarin?
Me rastin e nisjes së punimeve pas djegies, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishte në vend të ngjarjes të nesërmen, duke theksuar se do e rikthejnë objektin ashtu si ishte.
Madje, kryefamiljari Adnan Koroglu tha dje për “Mitropol” se ministri e kërcënoi vet atë për djegien e shtëpisë, duke i thënë se do i paguanin pasojat, ani pse në lidhje me autorët e veprës nuk pati asnjë hetim final e asnjë vendim nga organet kompetente.
”Keni me jep përgjegjësi para ligjit. Nuk përfundon me kaq.”, thotë t’i ketë thënë ministri Çeku, pronarit.
Për të mos u ndalur me kaq, ministri e vazhdon arsyetimin e neglizhencës së tij edhe me një status skandaloz në Facebook.
“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë. Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX.”, konstaton vet ministri, ani pse ende nuk ka një vendim ose gjykim se dikush i vuri flakën shtëpisë në mënyrë tinëzare.
“Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën. Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.”, vazhdoi tutje ministri, sikur ta dinte se dikush e djegi shtëpinë.
Familjarët thonë se ndjehen të kërcënuar nga shteti dhe nga vet ministri Çeku./Mitropol/