
Një rast i kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje është raportuar paraditen e së shtunës në komunën e Skenderajt, ku një roje gjuetie ka denoncuar një incident serioz gjatë kryerjes së detyrës së tij, njofton Mitropol.
Sipas informacioneve zyrtare, më 04.01.2026, rreth orës 09:30, ankuesi, i cili punon si roje gjuetie në një kompani private, ka raportuar se gjatë vëzhgimit në terren ka hasur dy burra të dyshuar të cilët mbanin armë në krah. Gjatë verifikimit, njëri nga ta nuk ka prezantuar leje gjuetie dhe, sipas deklarimit të viktimës, ka tentuar ta sulmojë atë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar bastisje në shtëpitë e të dyshuarve. Gjatë bastisjes, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar 29 fishekë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën hetimore.
Me vendim të prokurorit, rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë penale të të përfshirëve vazhdojnë./Mitropol/








