Roni Kosmann: Veriu i Kosovës ka potencial, por i mungon përfaqësimi që e kthen artin dhe ekonominë në zhvillim real

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet nga Mitrovica, Roni Kosmann, numri 104 në listë, ka marrë pjesë sot në konferencën “Veriu i Kosovës – një urë mes artit dhe zhvillimit ekonomik”, e mbajtur në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë ngjarje jo thjesht si një diskutim formal, por si një pasqyrë të qartë të problemeve strukturore që vazhdojnë ta mbajnë peng zhvillimin ekonomik të veriut të vendit.
Në fokus të konferencës ishin potencialet e pashfrytëzuara të rajonit, barrierat institucionale dhe ekonomike, si dhe mundësitë që po humbasin çdo ditë për shkak të mungesës së investimeve serioze dhe vizionit afatgjatë. Sipas Kosmannit, diskutimet në panele konfirmuan atë që qytetarët e ndiejnë çdo ditë: veriu i Kosovës nuk vuan nga mungesa e resurseve, por nga mungesa e qasjes së drejtë dhe përfshirëse në zhvillim.
“Për mua, kjo konferencë ishte më shumë se analizë – ishte një thirrje për veprim”, ka theksuar Kosmann, duke nënvizuar se rajoni nuk ka më nevojë për retorikë, por për njerëz që marrin përgjegjësi reale. Ai ka shtuar se zhvillimi ekonomik kërkon njohje të mirë të tregut, kuptim të mekanizmave ekonomikë dhe ndjeshmëri ndaj realitetit të papunësisë, mungesës së investimeve dhe boshllëkut institucional që e karakterizon veriun prej vitesh.
Në të njëjtën ditë, kandidati i LDK-së ka vizituar edhe ekspozitën e përhershme të artistit Kadri Kadriu, një emër i rëndësishëm i artit që ka lënë gjurmë të thella në identitetin kulturor të Mitrovicës. Për Kosmannin, kjo vizitë ishte një kujtesë e fortë se arti dhe ekonomia nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si dy botë të ndara.
“Janë dy shtylla që e mbajnë gjallë një qytet – fryma dhe funksioni. Mitrovica i ka të dyja, por i mungon përfaqësimi që i lidh me zhvillimin.”, ka deklaruar ai, duke e parë kulturën jo si element dekorativ, por si potencial real për zhvillim ekonomik dhe social.
Në përfundim, Roni Kosmann ka theksuar se ky është momenti kur gjenerata e re duhet të marrë përgjegjësi dhe të ofrojë një qasje të re politike për veriun e Kosovës, një qasje që e lidh artin, ekonominë dhe qytetarin me politika konkrete zhvillimore, duke e nxjerrë rajonin nga stagnimi shumëvjeçar.








