Rrahje në lokalin “Morena” në Vushtrri, disa të rinj sulmojnë shokun e punëtorit të sigurimit

Përleshjet mes të rinjve në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, janë bërë të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë dhe për pasojë nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur mbrëmë në lokalin “Morena” në Vushtrri, raporton Gazeta Sinjali.
Në rrahje, motiv i së cilës dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e momentit, janë përfshirë tre persona, të cilët akoma nuk janë kapur nga Policia. Siç mëson Sinjali të dyshuarit kanë rrahur shokun e një punëtori të sigurimit, i cili ka qenë duke e zëvendësuar këtë të fundit për disa minuta.
Sherri nisi kur të dyshuarit ia mësynë pjesës VIP të lokalit por u ndaluan nga viktima, i cili s’ishte në dijeni për rezervimin. Kjo bëri që të njëjtit ta shajnë e më pas edhe e kanë sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Posa Policia është njoftuar për rastin ka dalë në vendin e ngjarjes, por atë kohë lokali veçse ka qenë i mbyllur dhe nuk dihen më shumë detaje. Për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve.
Sinjali ka kontaktuar edhe lokalin në fjalë, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë informacione për rrahjen.








