Në shkollën fillore model “Ismail Qemali” në Mitrovicë janë rregulluar ngrohjet gjatë kësaj fundjave.
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe kryetarja e Këshillit Drejtues të shkollës, Suada Saraçi-Koxhadish.
“Këshilli i Prindërve në bashkëpunim me drejtorin dhe stafin e shkollës kanë angazhuar vullnetarisht kompaninë “A. Nika” për rregullimin e sistemit të ngrohjes së shkollës. Gjatë gjithë javës dhe fundjavës që lamë pas, stafi i shkollës ka qenë i angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi, i cili është eliminuar dhe deri më sot, për fat të mirë, gjithçka është funksionale” – ka thënë Saraçi-Koxhadish.
“Në ditët në vijim se çfarë na pret nuk e dimë sepse ka edhe disa probleme të vogla që duhet ndërhyrë për t’u eliminuar, ndërsa çështjen e çatisë së objektit të shkollës, DKA-ja e ka marrë përsipër riparimin”- ka thënë Suada Saraçi-Koxhadish për Kallxo.
Kurse, kryetari i Këshillit të Prindërve në shkollën “Ismail Qemali”, Jeton Ibishi, tha se është krenar për rregullimin e këtij problemi.
“Jam shumë i lumtur që nuk pati nevojë për ndonjë bojkot dhe as ndonjë protestë si është paralajmëruar nga KDSH, gjithashtu jam krenar që kemi arritur ta aktivizojmë edhe kaldajën e dytë që ka qenë totalisht jashtë përdorimit që disa vite” – tha ai.
“Njëra pompë është e dëmtuar në tërësi dhe atë janë duke e blerë Drejtoria për Arsim në Komunën e Mitrovicës, në mënyrë që ngrohjet qendrore të jenë 100% në rregull”-ka thënë Jeton Ibishi.
Ibishi tutje tha se puna vullnetare e prindërve dhe një kompanie kanë bërë që të rregullohet gjendja.
“Vendosmëria jonë kolektive, puna e Arton Nikës me ekipin e tij e shpëtuam mësimin që mos të ketë ndërprerje”- ka përfunduar Ibishi.
Ndërsa drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, ka reaguar ne rrjetin social Facebook duke thënë se bashkimi bënë fuqi.
“Bashkimi bënë fuqi, për evidentimin e problemeve teknike në shkollën “Ismail QemailI-Model”, u bëmë bashkë me mësimdhënësit, stafin teknik, këshillin e prindërve dhe komunitetin, ku gjatë dy ditëve të vikendit punuan pa u ndalë, në mënyrë që mësimi të zhvillohet normalisht”-ka thënë Kadriu në Facebook.
“Drejtoria e Arsimit dhe Komuna ka rregulluar edhe pjesën e çatisë ku uji ka depërtuar në sallën e edukatës fizike”-kishte thënë ajo.